“Evropa po shkon drejt rënies”

15:38 | 28 Nëntor 2019

Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy dhe ish-kryeministri i Spanjës, Jose Maria Aznar thanë se “Civilizimi i Evropës dhe Perëndimit ka pësuar rënie”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një forumi të zhvilluar me pjesëmarrjen e studentëve universitarë në Madrid, Sarkozy dhe Aznar, dy ish liderë politikë me bindje të djathta kanë mbrojtur idenë e tyre se Evropa po shkon drejt rënies dhe i kanë bërë thirrje partive politike konservatore që “tashmë të ndalojnë vëzhgimin dhe të kalojnë në veprim”.

“Për shekuj boshti botëror ka kaluar nga Perëndimi ndërsa sot është zhvendosur në Lindje”, tha Sarkozy, i cili ka bërë të ditur se nga më shumë se 7 miliardë njerëz që jetojnë në botë vetëm 800 milionë prej tyre ndodhen në Evropë dhe se për arsye demografike Evropa tashmë nuk është më “qendër” e botës.

“Unë jam një evropian i bindur, por ne duhet të ndalojmë së foluri për Evropën e viteve të 70-ta. Debati federal tashmë nuk ka më kuptim. Si duan një Evropë të vetme me 27 vende? Unë shoh 4 Evropa. Evropën e Schengen-it, të euros, të mbrojtjes dhe unionit. Unë mendoj se barazia nuk ekziston dhe nuk është e dëshirueshme, besoj në ndryshime. Në vend të përqendrimit në të kaluarën duhet të mendojmë Evropën e së ardhmes”, tha Sarkozy i cili krizën në Evropë, e ka lidhur me “idetë politike në plakje”.

Sarkozy ka mbrojtur idenë e tij se “në Evropë është krijuar një ‘modë e re’ ku me presionin e medias sociale kërkohet miratimi i çdo shtrese të shoqërisë ndërkohë që zgjidhja e problemeve globale kërkojnë lidership (udhëheqje)”.

“Një lider, një ekip, një vizion, një ambicie. Këto janë ato që unë besoj. Ndërsa në shoqërinë tonë sot lidershipi ka filluar të tregohet si jolegjitim. Bota po përparon me shumë shpejtësi dhe liderët duhet të presin mendimin edhe të shoqatës më të fundit. Demokracia nuk është kjo”, tha Sarkozy.

– “Trump, nuk është arsyeja e rënies së Perëndimit, por vetëm shenjë”

Në pyetjen lidhur me presidentin amerikan Donald Trump, Sarkozy ka thënë: “Nëse Trump zgjidhet president në një vend i cili është fuqia numër një ushtarake dhe ekonomike në botë, kjo do të thotë shumë gjëra rreth shoqërisë amerikane. E dëshiroj një SHBA të fuqishme dhe që tregon rrugën, por kurrë nuk mendoj se kjo fuqi do të sigurohet vetëm me një Twitt. Trump nuk është arsyeja e rënies së Perëndimit, por vetëm shenjë”.

Ish-kryeministri spanjoll Aznar tha se BE-ja e vetme pa NATO-n nuk mund të përballet me çështje të tilla si “Brexit, Rusia, terrorizmi dhe siguria virtuale”.

“Tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, rendi liberal po sfidohet. Pa NATO-n nuk ka kuptim që Evropa të krijojë e vetme fuqi mbrojtëse. Po ashtu është e pamundur edhe pa premtimin e SHBA-së për mbrojtje stabiliteti. Më e mira është të rindërtojmë, të riformësojmë NATO-n”, ka potencuar Aznar.

Aznar dhe Sarkozi duke u bashkuar në idenë se konservatorët, demokratët liberalë në Evropë kanë “humbur luftën”, ata e përshkruan Brexit-in si “një ngjarje dramatike dhe një çmenduri që shkon kundër historisë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara