Erdoğan pas takimit me Grabar – Kitaroviç: Marrëveshja e Dejtonit nevojitet të rishikohet

21:55 | 16 Janar 2019

Marrëveshja e Dejtonit detyrimisht duhet të rishikohet meqë është bërë e qartë se në periudhën e deritanishme nuk arriti të sjellë zgjidhje për ardhmërinë e Bosnjë e Hercegovinës, porositi në Ankara presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pas takimit me presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan u adresua në konferencën për gazetarë pas takimit me Grabar – Kitaroviç, e cila sot qëndron për vizitë në Turqi.

Një nga temat që interesoi gazetarët është edhe komenti i Erdoğanit në kontekst të zgjedhjes së Zheljko Komshi për anëtar të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e popullit kroat, në zgjedhjet e tetorit, temë mbi të cilën edhe Zagrebi zyrtar shpalosi pakënaqësinë e saj duke e përcjell madje edhe në Parlamentin Evropian.

“Respektoj vullnetin zgjedhor të qytetarëve të BeH-së dhe dëshirojë të theksoj rëndësinë e unitetit të të gjithë popujve në këtë vend”, porositi Erdoğan.

Erdoğan shtoi se popujt në BeH duhet të shikojnë njëri-tjetrin me sytë e paqes, si të jetë vendi i tyre, Turqia në këtë po ndihmon.

Presidenti turk ka folur edhe për takimin trilateral Turqi-BeH-Kroaci dhe tha se për këtë takim trilateral do të jetë i mundur të flitet hollësisht pas krijimit të qeverisë në BeH.

“Marrëveshja e Dejtonit detyrimisht duhet të rishikohet. Është shumë e qartë se Marrëveshja e Dejtonit në periudhën e deritanishme nuk ka sjellë zgjidhje për ardhmërinë e Bosnjë e Hercegovinës”, nënvizoi Erdoğan.

Lidhur me këtë, Erdoğan theksoi se nevojitet përfshirja aktive e OKB-së lidhur me BeH-në dhe Marrëveshjen paqësore të Dejtonit, gjegjësisht revizionin e saj.

Lajmet më të lexuara