Energjia diellore ndihmon refugjatët sirianë në Jordani

00:09 | 5 Qershor 2017

Energjia diellore po ndriçon mjediset e banimit në Jordani dhe po ndihmon refugjatët sirianë në nevojat e tyre të përditshme në një kamp refugjatësh ku më parë furnizimi me energji pësonte ndërprerje të shumta.

Azraq është kampi i dytë më i madh i refugjatëve në Jordani. Që kur u krijua dy vjet më parë, banorët në kamp kanë vuajtur nga ndërprerja e furnizimit me energji.

Tani situata pritet të ndryshojë falë investimit të Fondacionit IKEA, për një central të ri për prodhimin e energjisë diellore:

“Ky central është shumë i rëndësishëm për refugjatët në kamp, të cilët më parë nuk kishin furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike. Ata do të kenë ndriçim për një ambjent më të sigurtë, ventilatorë në ditët e nxehta e ngrohje në perdiudhat e ftohta të dimrit,” tha Zëvendës Komisionerja e Lartë e UNHCR-së, Kelly Clements.

Farhan Nazzal thotë se furnizimi me energji nënkupton liri:

“Para ndërtimit të centralit nuk dilnim dot kur të donim. Kur perëndonte dielli mblidheshim në banesa. Tani mund të shkojmë tek komshiu, të shijojmë orët e mbrëmjes, të presim miq; tani kemi mundësi të kënaqemi e të argëtohemi”.

Fëmijët mund të shohin televizor, megjithëse Anas Ahmed nuk i kushton rëndësi këtij fakti:

“Tani nxënësit si fëmijët e mi, mund të bëjnë mësimet nën dritën e llambës elektrike. Kur bën vapë mund të ndezim ventilatorin. Kemi marrë edhe një frigorifer, pra tani pimë ujë të ftohtë dhe mund të ruajmë ushqime. Kemi marrë edhe një larëse rrobash. Më parë unë sillja ujë, gruaja i lante rrobat me dorë, tani e ka shumë më të lehtë”.

Ndërtimi i centralit ka krjuar edhe mundësi punësimi për 50 refugjatë, të cilët janë trajnuar dhe tani punësohen për instalimin e paneleve diellore. Me njohuritë që kanë marrë ata operojnë centralin dhe mund të gjejnë punë edhe jashtë kampit të refugjatëve./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara