Deputetë britanikë sot votojnë për shtyrje të BREXIT-it

09:24 | 14 Mars 2019

Deputetët britanikë sot do të votojnë për shtyrje të afatit të Brexitit, dhe nëse edhe BE-ja pajtohet, atëherë Mbretëria e Bashkuar nuk do të largohet nga blloku evropian më 29 mars, ashtu siç ishte planifikuar fillimisht.

Aktualisht duket se nuk ka pajtueshmëri në Britani për lidhjen që do të ketë ky shtet në të ardhmen me Bashkimin Evropian.

Çështja kryesore e diskutimit mbetet kufiri me Irlandën dhe ndikimi që ai mund të ketë në rrafshin ekonomik pas 29 marsit.

Deputetët britanikë kanë votuar tre herë gjatë së mërkurës. Ata votuan edhe kundër largimit nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje paraprake.

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se “një shumicë e qartë” ka votuar kundër një Brexiti pa marrëveshje, ndonëse “rregulloret ligjore” përcaktojnë se Mbretëria e Bashkuar do të mund të largohej nga blloku evropian më 29 mars, nëse nuk krijohen kushte për marrëveshje.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

 

Shpërndaje në rrjete sociale