Dënimi i parë në hetimin për ndërhyrjen ruse

22:14 | 3 Prill 2018

Një avokat holandez në Londër u dënua me 30 ditë burg dhe u gjobit me 20,000 dollarë të martën për shkak se ka gënjyer autoritetet amerikanë që po hetojnë mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Avokati Alex van der Zwaan kishte deklaruar fajësinë në shkurt pasi gënjeu Byronë Federale të Hetimeve për kontaktet e tij me një bashkëpunëtor të afaristit Paul Manafort, njëherësh menaxher i fushatës së Presidentit Donald Trump dhe zëvendësin e tij, Rick Gates, dhe kishte zhdukur email-a të kërkuara nga hetuesit.

Avokati 33-vjeçar, dhëndri i një bankieri të njohur rus, ishte personi i parë që u dënua në hetimet shumë-mujore të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane që drejtohet nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller. Van der Zwaan nuk konsiderohej si një figurë kyçe në hetim, por dokumentet e gjykatës në rastin e tij tregojnë interesin e vazhdueshëm të prokurorit Mueller për të ndjekur informacionet rreth përfshirjes së Manafort dhe Gates në fushatën Trump.

“Ajo që bëra ishte e gabuar,” tha van der Zwaan në një gjykatë të Uashingtonit. “I kërkoj falje gjykatës për sjelljen time. I kërkoj falje bashkëshortes sime dhe familjes për dhimbjen që u kam shkaktuar”.

Manafort nuk është akuzuar për ndonjë krim që lidhet me garën presidenciale, por përballet me akuza të shumta për keqbërje kriminale në lidhje me përpjekjet lobuese në Ukrainë për llogari të udhëheqësit Viktor Janukoviç, i cili u rrëzua nga një kryengritje popullore në vitin 2014 para se të largohej në mërgim në Rusi. Manafort ka deklaruar pafajësinë.

Gates, në shkurt, u deklarua fajtor për komplot dhe pranoi se ka gënjyer hetuesit. Ai po bashkëpunon me hetimin e prokurorit Mueller për të parë nëse zyrtarët e fushatës Trump bashkëpunuan në mënyrë të fshehtë me rusët për të ndihmuar zotin Trump të fitonte zgjedhjet dhe nëse Trump pengoi drejtësinë për të ndërprerë hetimin./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara