Dëbora zbardh Evropën, bllokohen rrugët në Gjermani e Suedi

14:29 | 11 Janar 2019

Reshjet e dendura të dëborës kanë zhytur në kaos pjesë të tëra të Gjermanisë dhe Suedisë, duke bllokuar rrugë, duke ndaluar trenat, e duke mbyllur shkollat.

Kryqi i Kuq ka ndihmuar drejtuesit e automjeteve, të bllokuar në një autostradë në jug të Bavarisë, ku shërbimet hekurudhore patën gjithashtu probleme të mëdha.

Një djalë 9-vjeçar ndërroi jetë nga rrëzimi i një peme, të enjten pranë Mynihut. Stuhi të fuqishme bore u përplasën edhe mbi veriun e Suedisë, ku shumë rrugë janë praktikisht të pakalueshme.

Ekipeve të shpëtimit në Austri iu është dashur të bëjnë llogari me një shtresë dëbore që mbërrinte deri në gjoks, për të shpëtuar një skiator 41-vjeçar polak, i cili kishte humbur orientimin.

Në disa zona të Austrisë, trashësia e borës mbërriti deri në 3 metra, duke paralizuar jetën e banorëve. Shtatë janë vdekjet e regjistruara atje prej motit ekstrem, javën e kaluar, e dy skiatorë mungojnë që prej së shtunës.

“Sasi të tilla bore mund të përjetohen një herë në 30-100 vite”, tha Alexander Radlherr i Institutit Qendror Meteorologjik të vendit.

Moti i keq nuk ka kursyer as Zvicrën, ku një ortek goditi një hotel duke plagosur 3 persona. Zona është kontrolluar me kujdes, nga frika se mos kishte njerëz të tjerë të mbetur nën dëborë.

Shpërndaje në rrjete sociale