Çavuşoğlu: Komiteti për Kushtetutën e Sirisë do të formohet së shpejti

19:16 | 14 Mars 2019

Themelimi i komitetit i cili do të hartoj kushtetutën e re për Sirinë ka hyrë në fazën përfundimtare, tha ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

“Duke plotësuar procesin e Gjenevës, platforma e Astanas ka dhënë rezultate konkrete në reduktimin e dhunës dhe përshpejtimin e procesit politik dhe përpjekjet tona të përbashkëta na kanë sjellë në fazën përfundimtare të krijimit të komitetit kushtetues”, tha Mevlüt Çavuşoğlu gjatë konferencës së titulluar “Mbështetja e të ardhmes së Sirisë dhe rajonit” të mbajtur në Bruksel.

Çavuşoğlu tha se qëllimi përfundimtar i bashkësisë ndërkombëtare duhet të jetë dhënia fund e gjakderdhjeve dhe tragjedisë humanitare që po zgjat tetë vite në Siri.

Ai shtoi se pas themelimit të komitetit të balancuar, mundësohet mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe fer, si dhe reformat kushtetuese nën mbikëqyrje të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Çavuşoğlu gjithashtu nënvizoi rëndësinë e procesit të paqes në Astana për krijimin e besueshmërinë duke lehtësuar lirimin e përbashkët të të burgosurve që mbaheshin nga regjimi dhe nga forcat opozitare.

“Rajoni i de-eskalimit në Idlib ishte një sukses në parandalimin e një tragjedie tjetër humanitare dhe një fluksi të ri të refugjatëve në Turqi dhe Evropë”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se Turqia është e vendosur që të mbajë qetësinë në qytetin veriperëndimor sirian, edhe përskaj provokimeve.

Shtatorin e kaluar, një mbledhje mes liderëve të Turqisë dhe Rusisë ka rezultuar me një marrëveshje për zonë të de-militarizuar në Idlib.

Sipas marrëveshjes, grupet opozitare në Idlib duhet të qëndrojnë në zonat ku veçse janë prezent, përderisa Rusia dhe Turqia do të zhvillojnë patrullime të përbashkëta për të parandaluar rinisjen e luftimeve.

Vendimi i SHBA-ve për tërheqje

Ministri Çavuşoğlu tha se vendimi i SHBA-ve për tërheqje apo për reduktim të forcave të saja në Siri sjellë sfida të reja.

“Ne duhet të sigurohemi që të shmangen zbrazëtitë e pushtetit dhe të mos lejohet që organizata terroriste si DEASH, PYD/YPG apo edhe regjimi, të përfitojnë nga situata”, tha Çavuşoğlu.

Turqia është zotuar që të mos lejoj PYG/YPG, degën siriane të organizatës terroriste PKK përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 personave në 30 vitet e fundit, që të formojë një korridor të terrorit në Siri, përgjatë kufirit me Turqinë.

Çavuşoğlu tha se tërheqja e SHBA-ve duhet të respektoj integritetin territorial dhe unitetin politik të Sirisë, si dhe shqetësimet e sigurisë së Turqisë, duke shtuar se Turqia do të vazhdoj të punoj me SHBA-të dhe me aktorët tjerë në Siri.

“Gjithsesi që ne nuk do të qëndrojmë duarkryq nëse grupet terroriste tentojnë që të na sulmojnë nga ana tjetër e kufirit me Sirinë dhe ne kemi dëshmuar vendosmërinë tonë për të luftuar terrorizmin që buron nga Siria përmes operacionit Mburoja e Eufratit dhe Dega e Ullirit”, tha Çavuşoğlu duke iu referuar dy operacioneve të suksesshme antiterroriste turke që nga viti 2016.

Çavuşoğlu gjithashtu ka shfaqur dëshirën e Turqisë për “Siri stabile, prosperuese dhe demokratike e cila ruan unitetin e saj politik dhe integritetin territorial”, e gatshme të bashkëpunoj me anëtarët e komunitetit ndërkombëtar, BE-në dhe OKB-në.

“650 mijë sirianë ndjekin arsimin në Turqi”

Çavuşoğlu tha se kriza siriane vazhdon të zvarritet me “vuajtje të padurueshme njerëzore” dhe se mbi 5.6 milionë njerëz kanë ikur nga vendi në kërkim të sigurisë në vendet fqinje, kryesisht në Turqi, Liban dhe Jordani.

Ai theksoi se shumë vende u kanë kthyer shpinën refugjatëve dhe shtoi se Turqia hapi kufijtë e saj për 3.6 milionë refugjatë, ashtu si Libani dhe Jordania.

“Dua të ndaj me ju shifrat mbi arsimin, të cilës i japim rëndësi të madhe së bashku me BE-në dhe OKB-në. Falë përpjekjeve tona, rreth 650 mijë nga gjithsej 1 milion fëmijë refugjatë të moshës shkollore shkojnë në shkollë. Dhe për dy vite, ne dyfishuam shkallën e pjesëmarrësve në shkolla nga 30 për qind në 62 për qind”, deklaroi ministri Çavuşoğlu.

Ai shtoi se Turqia nuk do të jetë në gjendje të mbajë këtë përgjegjësi e vetme.

“Mbi 300 sirianë lindin çdo ditë në Turqi dhe mbi 400 mijë sirianë deri më tani kanë lindur në Turqi, gjatë shtatë-tetë viteve të fundit. Ne e vlerësojmë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, por krahasuar me sfidat që ekzistojnë, kontributet janë ende të vogla”, u shpreh Çavuşoğlu.

“Duhet të gjejmë zgjidhje më të shpejta”

Më tej, kryediplomati turk bëri të ditur se deri tani pothuajse 320 mijë sirianë janë kthyer në zonat e çliruara nga terrorizmi pas operacioneve turke. Ai po ashtu iu referua çështjes së ndihmës së premtuar nga BE-ja për të ndihmuar refugjatët sirianë në Turqi.

“Lehtësimet për refugjatët në Turqi kanë dëshmuar një shembull të mirë të asaj që mund të arrihet kur Turqia dhe BE-ja bashkëpunojnë. Vetëm dy nga tre miliardë eurot e para arritën në Turqi. Ne duhet të gjejmë zgjidhje të mira dhe më të shpejta”, deklaroi Çavuşoğlu.

Në muajin mars të vitit 2016, BE dhe Turqia arritën një marrëveshje për të ndërmarrë masa më të rrepta kundër trafikantëve të njerëzve, për të dekurajuar migrimin e parregullt përmes Detit Egje, si dhe për të përmirësuar kushtet e refugjatëve sirianë në Turqi, me BE-në duke premtuar 6 miliardë dollarë për të ndihmuar Turqinë të kujdeset për miliona refugjatë që strehon në vend.

Turqia është ankuar se BE-ja nuk arriti të japë ndihmën e premtuar në kohë të duhur.

Siria është e mbyllur në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.

Sipas zyrtarëve të OKB-së, që atëherë, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara