Çavusoglu: Greqia me mesazhe më të moderuara kohëve të fundit

09:06 | 17 Shtator 2020

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se mesazhe më të moderuara kanë filluar të vijnë nga Greqia për çështjen e Mesdheut Lindor, por se ajo nuk ka hequr dorë nga politikat e saj maksimaliste.

“Mesazhet që vijnë nga kryeministri grek në dy-tre ditët e fundit kanë qenë më të moderuara. Ditët e fundit kanë filluar të vijnë mesazhe më të moderuara. Greqia filloi të japë një mesazh më pozitiv, duke shfrytëzuar mundësinë e kthimit të anijes Oruç Reis në Portin e Antalya-s për ta rimbushur me furnizime dhe mirëmbajtje”, tha Çavuşoğlu dje në një intervistë për CNN Turk.

Kryediplomati turk shtoi se “nga ana tjetër duke thënë ‘ne duam më shumë nga kjo’, ata mbajnë qëndrimin e tyre maksimalist”.

Duke theksuar se bisedimet eksploruese që filluan pas krizës së Kardakut të vitit 1996 janë një mekanizëm i ngritur për të vendosur se si të zgjidhen problemet që nuk zgjidhjen me marrëveshje, Çavuşoğlu tha se jo vetëm një çështje, por të gjitha çështjet duhet të diskutohen në një paketë.

Çavuşoğlu tha se anija e shpimit Oruç Reis u kthye në port për mirëmbajtje rutine dhe periodike, gjë që, siç theksoi ai, nuk do të thotë se është në koncesion.

“Siç i tha sot presidenti ynë (Recep Tayyip Erdoğan) kancelares gjermane (Angela Merkel), ne në të kaluarën i kemi dhënë një mundësi diplomacisë, por Greqia e ka refuzuar atë. Në vend që të presë më shumë nga ne, Greqia mund ta kthejë këtë periudhë në një mundësi duke ndërmarrë hapa pozitive. Ne themi se Greqia nuk duhet ta humbasë këtë mundësi, gjë që bëri më parë duke nënshkruar marrëveshje me Egjiptin”, tha Çavuşoğlu.

Më tej, Çavuşoğlu theksoi se Turqia gjithmonë ruan një të drejtë të qenësishme në zonat ku Oruç Reis kryen kërkime sizmike.

Greqia ka kontestuar aktivitetet aktuale të Turqisë në kërkimin e energjisë në Mesdheun Lindor, duke u përpjekur të godasë në territorin detar turk bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.

Turqia, vend me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije të shpimit në Mesdhe për të eksploruar energji në ndarjen e saj kontinentale, duke theksuar se edhe Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon.

Duke iu referuar hartës së Seviljes, e cila përdoret nga Greqia për të izoluar Turqinë duke u përpjekur ta kufizojë atë në brigjet e saj mesdhetare, Çavuşoğlu tha se “fillimisht Greqia duhet të njoftojë se nuk e pranon këtë hartë”.

“Për aq kohë sa është kjo hartë, është e pamundur për t’i zgjidhur problemet”, shtoi ai.

Harta, e përgatitur nga Profesor Juan Luis Suarez de Vivero i Universitetit të Seviljes në Spanjën jugore, sugjeron se vija kufitare që Greqia pretendon në detet Egje dhe Mesdhe si ndarje të saj kontinentale dhe Zona Ekskluzive Ekonomike (EEZ) të deklaruar nga Qiproja Greke në vitin 2004 tregojnë kufijtë zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE).

Kjo hartë pretendon se ndarja kontinentale greke fillon nga ishulli Meis dhe vazhdon drejt jugut deri në mes të Detit Mesdhe dhe nuk i jep Turqisë asnjë territor jashtë Gjirit të Antalya-s në Turqinë jugore.

Kryediplomati turk foli edhe për qëndrimin e Gjermanisë mbi çështjen e Mesdheun Lindor, duke e quajtur më objektiv dhe konstruktiv, ndërsa sipas tij, “Franca dëshiron të shesë armë duke rritur tensionet”.

Ai tha se Greqia ka armatosur ishujt me një status jo-ushtarak në Detin Egje që nga viti 1960 dhe theksoi se Greqia pranoi armatimin e ishujve të cilët gjithmonë i kishte mohuar para vitit 1974./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara