Brand New Bundestag: A ka ardhur koha për një brez të ri në parlamentin gjerman?

06:49 | 30 Qershor 2020

Shumë të vjetër, shumë të bardhë, shumë meshkuj. Thirrjet për një Bundestag që të pasqyrojë më mirë shoqërinë në Gjermani s’janë të reja, por po bëhen më të larta.

Prej 23 vjetësh ajo sheh të njëjtat fytyra në pllakatat elektorale në qytetin e saj të lindjes, shpjegon Nina Zündorf – mashkuj që plaken. “Kë përfaqësojnë ata?” 709 deputetët e parlamentit gjerman Bundestag, janë në shumicë meshkuj, të moshuar, të bardhë, akademikë, heteroseksualë dhe gjermano-perëndimorë. Kjo nuk i përgjigjet popullsisë së Gjermanisë në tërësi.

Një histori suksesit nga SHBA si shembull

Zërat që kërkojnë ndryshim nuk janë të rinj, por ata po shtohen. Një lëvizje e themeluar së fundi dëshiron t’u japë atyre peshë politike. Qëllimi: ta bëjmë Bundestagun më përfaqësues dhe përparimtar. Brand New Bundestag (BNB) është emri i organizatës në të cilën punonjësja Kryqit të Kuq Nina Zündorf është e përfshirë privatisht. Modeli i saj është një histori suksesi nga SHBA: Alexandria Ocasio-Cortez e cila hyri në Kongresin Amerikan në moshën 28-​​vjeç si deputetja më e re pa karrierë politike.

ImageAlexandria Ocasio-Cortez

Kamarierja dhe aktivistja nga Bronksit me origjinë nga Amerika Latine bën një politikë. Me karizëm dhe një lëvizje të shkathët që e ndjek nga pas. Edhe BNB dëshiron një gjë të tillë dhe mbështet kandidatë në fushatën zgjedhore që janë të përfshirë politikisht në shoqërinë civile dhe lëvizjet shoqërore. Njerëzit që mishërojnë një mënyrë të re të bëri politikë.

Diversiteti si kusht themelor

Georg Blokus, drejtues i Brand New Bundestag (BNB) thotë se fjala është për njerëz që kanë përvojë në luftë kundër padrejtësisë dhe diskriminimit dhe mbi të gjitha që dinë t’i zgjidhin këto probleme”.

Çështja e diversitetit e nxitur nga debati për racizmin strukturor pas vdekjes së dhunshme të afro-amerikanit  George Floyd,  është bërë çështje aktuale në Gjermani. Në Bundestag ka vetëm një deputet me ngjyrë, Karamba Diaby (SPD).

ImageAminata Touré

Aminata Touré (Partia Ekologjike ) është një nga të paktat gra me ngjyrë në politikën gjermane dhe nënkryetare e parlamentit të landit Schleswig-Holstein. Në intervistë me Deutsche Wellen ajo thekson : “Unë besoj me vendosmëri në politikë duhet të futen sa më shumë njerëz me ngjyrë .”

Në kërkim të kadidatëve dhe të fondeve

Aktivistët e lëvizjes Brand New Bundestag (BNB) janë në kërkim të kandidatëve. Në një proces të gjatë seleksionimi kandidatët përzgjidhen nga një komitet prej dhjetë anëtarësh përzgjedhës të BNB. Juria është aq e larmishme sa dhe kandidatët që kjo lëvizje dëshiron të bashkojë rreth saj.

Lëvizja është duke kërkuar gjithashtu mbështetje financiare. Aktivistët janë në diskutime me fondacione të ndryshme. Por donatorët duhet të financojnë një maksimum prej 10 përqind të buxhetit vjetor në mënyrë që lëvizja të ruajë pavarësinë e saj. BNB planifikon që deri në fund të vitit të financojë të paktën katër vende pune me orar të plotë përmes kuotave të anëtarësimit dhe crowdfunding. / DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara