“Boeing mbështet hetimin për rrëzimin e avionit në Etiopi”

08:49 | 20 Mars 2019

Shefi ekzekutiv i kompanisë Boeing, Dennis Muilenburg, ka thënë se po punohet në marrjen e më shumë informatave rreth aksidentit të Ethiopian Airlines dhe “kuptimit të informatave nga zëri nga kabina e avionit dhe regjistruesit të të dhënave nga fluturimi”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ekipi ynë është në vendin e ngjarjes me hetuesit për të mbështetur hetimin dhe për të ofruar ekspertizë teknike. Byroja hetuese për aksidentin në Etiopi do të përcaktoj dhe kur është e përshtatshme për të njoftuar detaje shtesë”, shkruan në një letër Muilenburg.

Ky reagim vjen pasi shumë shtete, përfshirë Turqinë, Kanadanë, SHBA-të dhe Rusinë, kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanët Boeing 737 MAX.

Vendimet e shteteve erdhën pasi një avion i tipit Boeing 737 Max 8 u rrëzua vetëm gjashtë minuta pas ngritjes nga kryeqyteti i Etiopisë, Addis Ababa, në drejtim të kryeqytetit të Kenias, Nairobi.

Në aksidentin që ndodhi më 10 mars humbën jetën 157 persona, duke përfshirë 149 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.

Ky model i avionit ishte gjithashtu i përfshirë edhe në një aksident që ndodhi në muajin tetor në afërsi të qytetit Jakarta në Indonezi. Të gjithë njerëzit, 189 gjithsej, që ndodheshin në fluturim, humbën jetën. Edhe ky aksident kishte ndodhur menjëherë pas ngritjes.

“Së shpejti ne do të publikojmë një softuer të përditësuar dhe trajnime për 737 MAX ku do të trajtohen edhe shqetësimet e zbuluara pas aksidentit të fluturimit 610 të Lion Air”, tha Muilenburg.

“Ne e dimë që jetë njerëzish varen nga puna që bëjmë dhe ekipet tona çdo ditë marrin këtë përgjegjësi me një ndjenjë të thellë të përkushtimit”, tha gjithashtu Muilenburg, duke shtuar se qëllimi i kompanisë është që të bashkoj “në mënyrë të sigurt” familjet, miqtë dhe të dashurit.

Muilenburg theksoi se po punojnë edhe me palë tjera për të kuptuar faktet se çfarë ka ndodhur në këto aksidente dhe për “të ndihmuar në parandalimin e tragjedive në të ardhmen”.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Boeing rikujtoi historinë prej një shekulli të kompanisë së sferës së aviacionit të cilën ai e udhëheq, duke thënë se “..ne do të vazhdojmë të ofrojmë produktet, trajnimet dhe mbështetjen më të mirë për klientët global dhe pilotët”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara