BE zgjat afatin e sanksioneve ndaj Rusisë me 6 muaj

19:13 | 12 Shtator 2019

Bashkimi Evropian (BE) vendosi të zgjasë edhe për 6 muaj të tjerë periudhën e masave kufizuese të aplikuara për Rusinë, për shkak të destabilizimit të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli i BE-së në një deklaratë me shkrim njoftoi se unioni ka vendosur të zgjasë deri më 15 mars 2020 masat kufizuese që është duke zbatuar për shkak se Rusia kërcënon integritetin territorial, sovranitetin dhe lirinë e Ukrainës.

Sipas sanksioneve, është rritur në 44 numri i kompanive dhe në 170 numri i njerëzve pasuritë e të cilëve janë ngrirë dhe ndaj të cilëve janë vendosur ndalesë për udhëtimet.

– Sanksionet gjithëpërfshirëse të BE-së

Në përputhje me sanksionet e tjera të BE-së, 28 shtete anëtare të BE-së nuk mund t’i shesin armë Rusisë. Me sanksionet Rusisë i kufizohet blerja nga shtetet e BE-së e disa prej teknologjive që përdoren në sektorët e naftës dhe gazit. Gjithashtu bankat publike ruse përjashtohen nga sektori financiar evropian. Sanksionet të cilat veçanërisht përmbajnë kufizime ndaj tregtisë dhe investimeve zgjaten 1 herë në çdo 6 muaj.

Rusia, në mars 2014 aneksoi në mënyrë të paligjshme Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin Sevastopol. Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe ngjarjeve në lindje të Ukrainës, BE, SHBA dhe disa shtete filluan të zbatojnë sanksione ekonomike ndaj Rusisë.

BE-ja për herë të parë vendimin për sanksione ekonomike ndaj Rusisë e ka marrë në vitin 2014.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara