BE: Në samitin tjetër vlerësohen lidhjet me Turqinë

17:40 | 30 Nëntor 2020

Peter Stona, një zëdhënës i Bashkimit Evropian (BE), ka bërë të ditur se në samitin tjetër të BE-së do të vlerësohen marrëdhëniet e bllokut evropian me Turqinë jo vetëm mbi një veprim, por mbi veprimet e Turqisë për “një periudhë kohore”.

I pyetur lidhur me Turqinë që ktheu një anije në port pasi ajo përfundoi një pjesë të misionit të saj të kërkimit të energjisë, mision që BE-ja e ka kundërshtuar prej kohësh, Stona tha se ajo që BE-ja pret nga Turqia dhe afati i saj janë shumë të qarta.

“Liderët e BE-së dhe vendet anëtare të BE-së do të mblidhen gjatë Këshillit Evropian të ardhshëm në dhjetor dhe ata do të rishikojnë nëse Turqia i përmbush pritjet e tyre. Ne po ashtu jemi duke u përgatitur për një konferencë mbi situatën në rajonin e Mesdheut Lindor”, tha Stona.

Krerët e BE-së do të takohen më 11-12 dhjetor për të diskutuar disa çështje, përfshirë tensionin në Mesdheun Lindor dhe sanksionet e mundshme kundër Turqisë.

Ministria e Energjisë dhe Burimeve Natyrore e Turqisë njoftoi se anija e shpimit Oruç Reis është kthyer nga Mesdheu Lindor në portin jugor të qytetit Antalya pasi ka përfunduar aktivitetet e saj aktuale kërkimore.

Turqia në vazhdimësi ka kontestuar përpjekjet e anëtarëve të BE-së, të Greqisë dhe administratës Greke Qipriote, për kufizimin e kërkimit legjitim të saj për energji në Mesdheun Lindor./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara