BE bën thirrje për shmangien e dhunës në Sudan

21:05 | 11 Prill 2019

Bashkimi Evropian (BE) tha se po ndjek nga afër zhvillimet në Sudan dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin dhunën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Maja Kocijancic, në një konferencë për media tha se BE ndjek nga afër zhvillimet në Sudan dhe se vazhdon komunikimi me vendet anëtare dhe partnerët.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve për të shmangur dhunën. BE bën thirrje për realizimin e një procesi politik të besueshëm, legjitim dhe gjithëpërfshirës që merr parasysh kërkesat e popullit sudanez”, tha Kocijancic.

Pasi ushtria në Sudan rrethoi televizionin dhe radion shtetërore, në aeroportin e kryeqytetit Khartoum u ndaluan fluturimet, ndërsa lejohen vetëm uljet e avionëve.

Së fundmi, teksa bëhet e ditur se ushtria ka rrethuar edhe Agjencinë Kombëtare të Lajmeve Sudaneze (SUNA), vërehet se ushtarët dhe pjesëtarët e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë janë pozicionuar nëpër rrugë.

Ndërkohë që burimet lokale kanë theksuar se ushtarët kanë filluar të arrestojnë liderët e Partisë Kombëtare të Kongresit në pushtet.

Që në orët e para të mëngjesit në televizionin dhe radion shtetërore janë transmetuar marshe dhe këngë kombëtare, ndërsa u njoftua se ushtria do të japë një deklaratë të rëndësishme së shpejti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara