Artistët palestinezë thirrje BE-së të anulojë Eurovizionin në Izrael

20:09 | 8 Maj 2019

Asociacioni i Artistëve Palestinezë në Rripin e Gazës, i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE) që të anulojë mbajtjen e garës së këngës më të mirë evropiane, Eurovizionit në qytetin izraelit të Tel Avivit, raporton Anadolu Agency (AA).

OJQ-ja bëri apelin në fjalë përmes një konference për mediat sot në të cilën morën pjesë dhjetëra artistë palestinezë, të cilët u mblodhën para godinës së BE-së në Gaza.

“Këndimi dhe muzika janë gjuha e njerëzimit, janë mënyra më e mirë për të shprehur dashuri, paqe dhe bashkëjetesë”, tha aktori palestinez Nabil al-Khatib.

Megjithatë, vendimi për të mbajtur garën e Eurovizionit në Izrael, shtoi ai, “shërben vetëm për të legjitimuar persekutimin e popullit palestinez duke zbukuruar fytyrën raciste të Izraelit”.

Al-Khatib tha se si palestinezë, ata u tronditën nga fakti se gara më e madhe ndërkombëtare e këngës, këtë vit do të mbahet në Tel Aviv.

Vendimi, tha më tej, do të sigurojë mbështetje për një pushtet okupues që shtyp një popull tjetër.

Eurovizioni do të mbahet në datat 14 -18 maj dhe organizohet nga Unioni i Transmetuesve Evropian (EBU) që nga viti 1956.

Bëhet fjalë për ngjarjen më të madhe jo-sportive në botë në aspektin e shikueshmërisë pasi tërheqë para ekraneve qindra miliona shikues nga e gjithë bota.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara