Vetëm në Kosovë shkencat matematikore e natyrore studiohen pa laboratorë

16:02 | 2 Nëntor 2019 | Rina Rexhepi

Mungesa e kushteve adekuate siç janë sallat e mësimit e në veçanti laboratorët është problemi kryesor më të cilën përballen studentët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore çdo ditë.

Problem tjetër në këtë fakultet është edhe mungesa e kuadrove në departamentin e Fizikës dhe Gjeografisë.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematikë-Natyrore, Tahir Arbneshi në një intervistë për arbresh.info ka thënë se kushtet në objektet punuese siç janë laboratorët dhe sallat e mësimit nuk janë as për së afërmi si duhet të jenë për një fakultet të shkencave e në veçanti laboratorët për fushën e biologjisë, kimisë dhe fizikës.

“Meqë ne kemi pas fatin ta ndajmë objektin e përbashkët me Fakultetit e Filologjisë dhe kemi një objekt të ndarë të departamentit Kimisë ne po mundohemi me u gjetë brenda rrethanave të cilat i kemi mirëpo studentët nuk janë të kënaqur me atë çka ne ofrojmë”, u shpreh Arbneshi.

Ai ka thënë se për përmirësim të kushteve vazhdimisht ka kërkesa nga studentët megjithatë ai thotë se studentët janë tepër të mirë në çfarë kushte atyre u ofrohet mësimi e veçanti pjesa praktike e lëndëve profesionale.

Dekani i FSHMN-së ka treguar se objektivi i tij që nga koha kur ka marr drejtimin e këtij fakulteti ka qenë ndërtimi i një objekti të ri, por që nuk ka arritë të përmbush këtë objektiv tash e shtatë vite për shkak se komuna nuk ju ka dalë në ndihmë.

“Prej vitit 2012 kur e kam marr unë detyrën, objektiv e kam pas ndërtimin e fakultetit mirëpo nuk kam arrit për shtatë vite ta përmbush objektivin tim kryesor për arsye se komuna nuk na ka dal në ndihmë të na japë një zgjedhje ose pëlqim për parcelën ku do të ndërtohet fakultetit i shkencave, dhe përkundër përkrahjes së menaxhmentit qendror rektoratit dhe Këshillit Drejtues, ne nuk kemi arrit të sigurojmë hapësirën ku do të ndërtohet fakulteti. Jemi në rrugë të mbarë mirëpo kjo punë po zgjatet shumë”, ka treguar dekani i FSHMN-së.

Problem tjetër në këtë fakultet sipas dekanit është edhe mungesa e kuadrove në departamentin e Fizikës dhe Gjeografisë.

“Mund të themi se kemi mungesë kuadri në departamentin e Fizikës dhe Gjeografisë për arsye se matematika është problem jo vetëm për Kosovë por edhe më gjerë, nuk ka persona të kualifikuar me shkollim adekuat, por megjithatë jemi duke u angazhuar përtej normave dhe vullneti i mirë i departamentit po e mbulojmë mësimin. Kurse në gjeografi kemi gjithashtu kemi vështirësi për shkak të numrit të vogël të stafit akademik”, ka përfunduar ai.

Ndërsa Dafina Sylaj, kryetare e këshillit studentor në FSHM ka thënë për arbresh.info se problemi më i madh në këtë fakultet është gjendja e kushteve fizike.

“Kushtet nuk janë të mjaftueshme as për mësim normal e lëre më për mësim shkencor. Laboratorët janë në gjendje të tmerrshme, sallat normale nuk janë të pajisur me mjete e duhura për mësim nuk mund të zhvillohet as një proces as një eksperiment në gjendje normale dhe paraqesin vështirësi të përhershme për ne në studimet e rregullta”, ka thënë Sylaj.

Ajo ka thënë se kanë marrë të gjitha masat për rregullimin e kësaj çështje, por që nuk po gjejnë përkrahje.

“Ne kemi marr të gjitha format me të cilat mund të bëjmë thirrje për rregullimin e kësaj çështje, nuk po ndalemi as tash. Po vazhdojmë të kërkojmë nga komuna të na i gjej një zgjidhje në bashkëpunim me dekanatin dhe rektoratin po provojmë të bëjmë diçka, por nuk është që po na japin përkrahje të mjaftueshme rektorati, po provojmë vet më shumë”, ka thënë ajo./R.Rexhepi/arbresh.info/


Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara