Shkeljet më të shpeshta të vozitësve në rrugën nacionale Vragoli-Trudë

20:21 | 21 Nëntor 2019 | Arditë Shkodra

Kjo është Policia e Trafikut Rrugor të Kosovës, përkatësisht njësiti i Autostradës, të cilët çdo ditë – natë dalin në teren për të patrulluar dhe vëzhguar mbarëvajtjen dhe procesin e trafikut nëpër Autostrada.

Rreshteri i Ekipit “A” në Njësitin për Autostradë, Flamur Ahmeti, çdo mëngjes bën gati planin dhe orarin për ekipin që do të dal në terren, duke i caktuar kështu detyrat dhe përgjegjësit që policët e këtij njësiti do të bartin gjatë orarit të punës.

Pastaj bëhet Prefingu, mbledhja që mbahet në sallën e takimeve.

Këtu, rreshteri Ahmeti fillon mbledhjen duke e informuar grupin që do të dal në terren,  për ndërrimin paraprak  nëse është raportuar për ndonjë aksident, bën ndarjen e lokacioneve  dhe cakton shkeljet që duhet të evidentohen nga ky njësit policor.

Ahmeti, cekë se duhet të merren parasysh veturat që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, dritat, përdorimi i telefonit dhe kundërvajtjet e tjera në trafik.

Pas përfundimit të mbledhjes, ekipet e caktuara për në teren marrin pajisjet e nevojshme për punë, bëjnë kontrollimin e veturave dhe nisen për teren.

Ekipi i portalit arbresh.info ka shoqëruar njësitin e lokacionit në rrugën nacionale, Vragoli-Trudë (Hani i Elezit) për të vëzhguar nga afër një ditë pune të këtij njësiti policor.

Kur arrijnë në pikën e kontrollit, zyrtarët policor bëjnë gati mjetet me të cilat do të verifikojnë të gjithë kundërvajtësit në trafik.

Policia, përmes radarit vëren se njëra nga veturat  e shumta që po përshkonte rrugën nacionale, Vragoli- Trudë, tejkaloi shpejtësinë e lejuar në këtë rrugë.

Vetura me targa të Shkupit kishte tejkaluar shpejtësinë deri në 157 km/h , nga 120 sa është  e lejuar.

Kështu, ky njësit vazhdon edhe ndaljen e veturave të tjera për shkelje të rregullave të komunikacionit, përfshirë defektin e dritave, matjen e thellësisë së gomave, kontrollin për zinxhirët e dimrit etj.

Ahmeti: Gjatë ditës mund të ndodhin deri në shtatë aksidente

Rreshteri Flamur Ahmeti tregon përafërsisht gjatë një dite mund të ndodhin gjashtë deri në shtatë  aksidente. Këto aksidente sipas tij, ka më shumë mundësi që të ndodhin pasdite.

Ai gjithashtu flet edhe për numrin e aksidenteve me fatalitet, me dëme materiale dhe me lëndime.

Ahmeti tregon se një ndër shkaktarët kryesor se pse ndodhin aksidentet e trafikut është tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe përdorimi i telefonit gjatë vozitjes, mos mbajtja e distancës etj.

Ai thekson se qëllimi kryesor i Policisë së Kosovës, është parandalimi i aksidenteve ne komunikacion.

Ahmeti: Shkaktarët kryesor të aksidenteve janë shpejtësia e tejkaluar dhe përdorimi i telefonit gjatë vozitjes

Rreshteri Ahmeti bën të ditur për arbresh.info se ku tejkalohet më së shumti shpejtësia dhe ku ka më shumë parregullsi.

Ahmeti tregon se Policia e Kosovës mundohet që sa më shpejt të reagoj kur ka aksidente në trafik.

Gjithashtu ai tregon se si e parasheh ligji kur një kundërvajtës i cili është shtetas i huaj dhe nuk posedon mjet identifikimi përkatësisht, pasaportë.

Kurse sa i përket bashkatdhetarëve tanë, Ahmeti tregon se ata mbas 3 muajve nuk mund të marrin pjesë në komunikacionin e Kosovës.

Njësiti i Trafikut Rrugor të Policisë së Kosovës i bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të jenë të vetëdijshëm në rrugë, të jenë të koncentruar dhe më të përgjegjshëm.

Gjithashtu bëhet e ditur për të gjithë qytetarët e Kosovës se nga data 15 nëntor fillon sezoni dimëror, deri më 15 mars dhe se të gjitha veturat duhet të jenë të pajisura me goma dimri.

N’ trafik me Policinë e Kosovës është emision i veçantë që realizohet nga arbresh.info në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Ky emision ka për qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në komunikacion, këmbësorëve dhe shoferëve, në lidhje me respektimin e rregullave të komunikacionit./arbresh.info

Prodhim i arbresh.info në bashkëpunim me Policinë e Kosovës

Gazetare: Arditë Shkodra

Kamerë: Safet Hyseni

Nëntor 2019

Rruga nacionale, Vragoli- Trudë (Hani i Elezit)

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara