‘Rent a car’ brenda zonës së kufizuar të sigurisë, rrezikohet siguria e Aeroportit të Prishtinës?

08:05 | 11 Janar 2020

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ ushtrojnë veprimtarinë e tyre 14 kompani për huazim të veturave.

Disa nga këto kompani të njohura si ‘rent a car’ janë më të ‘privilegjuara’ duke qenë kontakti i parë i udhëtarëve që shfrytëzojnë aeroportin e Prishtinës. Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar edhe Valentina Gara, zëdhënëse në ANP “Adem Jashari”.

Ajo ka thënë se zyre të tilla gjenden ne arritje dhe në dalje të terminlait.

“Zyrat e “Rent a Car”(makina me qira) janë në arritje dhe në dalje të terminalit”, ka thënë ajo.

Gara ka shtuar se këto nuk paraqesin asnjë rrezik për udhëtarët.

“Po ka zyre tjera: është e “Gjërave të Humbura dhe të Gjetura”, “Doganës” “Unifree” etj. Asnjë nga këto zyre nuk kane pse te paraqesin problem për udhëtarët”, ka shtuar ajo.

E nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar se këto zyre gjenden në zonën e kufizuar të sigurisë.

“Veprimtaritë ekonomike në fjalë (zyrat për rent a car) nuk zhvillohen ose gjenden brenda zonës së kontrollit të pasaportave në ANP “Adem Jashari”, mirëpo brenda zonës së kufizuar të sigurisë”, kanë thënë nga MPB.

Edhe sipas tyre këto zyra në këtë zonë nuk paraqesin rrezik.

“Ky aktivitet nuk paraqet rrezik sa i përket sigurisë së aviacionit civil që është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme, meqenëse i gjithë personeli që ka qasje në zonën e kufizuar të sigurisë në aeroport i nënshtrohet kontrolleve të sigurisë nga ana e personelit të sigurisë së aeroportit”, thonë nga zyra për medie e MPB-së.

E ndryshe mendon eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala. Ai në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se përmes hapjes se zyrave të tilla në atë zonë cenohet siguria e aeroporti në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Sa i përket këtij veprimi brenda ANP-së unë mendoj dhe vlerësojë që menaxhmenti i LIMAK i ka tejkaluar kompetencat e saja duke interferuar brenda hapësirës se sigurisë e cila kontrollohet dhe menaxhohet nga Policia e Kosovës. Menaxhmenti në mënyrë të drejtpërdrejt e ka lejuar që të cënohet siguria e aeroportit përmes lejimit të veprimtarisë së veturave me qira ( rent a car )  në zonën mbrapa kontrollit të pasaportave në hyrje të Kosovës duke konsideruar vetëm fitimin personale mbi marrjes se qirave nga ato zyre”, ka thënë ai.

Shala ka kërkuar nga institucionet e sigurisë të mos lejojnë veprimtari ekonomike në zonën e sigurisë.

“Pra institucionet e sigurisë ( PK-ja , Dogana dhe MPB-ja) në harmoni me Ministrin e Transportit përkatësisht Departamentit për Inspektim të iniciojë veprime konkrete në drejtim të ANP duke vendos që në zonën e sigurisë mos të lejohen fushëveprimtaritë ekonomike (rent car ) që e cenojnë sigurinë e ANP dhe të udhëtarëve”, ka shtuar ai.

Ai ka përmendur edhe një rast të cenimit të sigurisë duke lejuar veprimtari në zonën e sigurisë.

“Njëherë veprimtaria e këtyre bizneseve ( Rent a car ) në atë zonë , ANP-ja me dhënien e pëlqimit në atë zonë ka shkelur edhe ligjin Nr. 03/L-229  Për Mbrojtjen e Konkurrencës , përkatësisht nenin 11 dhe 12 të këtij ligji. Kemi patur edhe një testim para dy viteve mbi gjendjen e sigurisë në ANP dhe kanë tregu që siguria e ofruar nga kompanitë private të menaxhuar nga menaxhmenti i ANP nuk i kanë plotësuar kriteret e sigurisë duke lejuar që të hy një valixhe me eksplozive në hapësirën e sigurisë të ANP. Dhe ky veprim tregon që çdo veprimtari në hapësirën e sigurisë mund të cenojë sigurinë e në rastin tonë edhe të mundësojë kontrabandën për hyrje të territorit të Kosovës duke përdorur këto biznese në atë zonë të sigurisë”, ka përfunduar ai.

arbresh.info ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës të cilët kanë thënë “Lidhur me hapjen e lokaleve dhe lejimin/licencimin e tyre për operim duhet t’i adresoheni autoritetit kompetent”.

Ndërsa për këtë çështje Dogana e Kosovës, dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kanë kthyer përgjigje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara