Kur pritet të nisë sezoni i plazhit në Shqipëri, flet nënkryetari i Bashkisë së Durrësit

09:43 | 13 Maj 2020 | Alban Begolli

Sezoni i plazhit në Shqipëri pritet të hapet në fillim të muajit qershor ose më së shumti me 15 qershor për të gjithë pushuesit.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetari Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri në një intervistë të dhënë për arbresh.info.

Tahiri në të njëjtën kohë ka thënë se Ministria e Turizmit të Shqipërisë aktualisht është duke i përgatitur një draft-masash me qëllim të mbrojtjes së pushuesve nga koronavirusi.

Ai, deklaron se plazhet e Durrësit tashmë janë pastruar dhe më së voni më 15 qershor do të jenë gati t’i presin pushuesit.

“Çështja e sezonit të verës, është çështja më e nxehtë për momentin ngase koha është kaq e mirë dhe njerëzit me padurim po presin hapjen e plazheve. Ne si Bashki e Durrësit, kemi filluar t’i marrim masat e nevojshme për rihapjen e sezonit të verës duke i pastruar plazhet, si dhe kemi shtuar dhe staf sa i përket mirëmbajtjes së plazheve, dhe nga ana tjetër kemi miratuar edhe vendimin e qeverisë ku 80 për qind e hapësirës do të jetë zonë private ndërkaq 20 për qind, zonë publike për qytetarët”, tha Tahiri.

Duke folur për masat që do të merren për mbrojtjen e turistëve nga koronavirusi, Tahiri deklaron se Ministria e Turizmit të Shqipërisë tashmë ka filluar përgatitjen e një drafti për masat që do të merren, që më pas do t’ju dërgohet operatorëve turistik.

“Aktualisht Ministria e Turizmit është duke përpunuar një draft masash që do të merren gjatë këtij sezoni për t’i mbrojtur pushuesit nga Covid-19.Kur ky draft do të jetë gati, do ua përcjellim të gjithë operatorëve turistik, bareve, hoteleve, restoranteve dhe natyrisht se ata duhet t’i përmbahen. Kështu do të mundohemi të kalojmë në mënyrë të sigurte këtë sezon veror”, u shpreh Tahiri.

Pritet ulje e çmimeve, shkak koronavirusi

Nënkryetari i bashkisë ka deklaruar se në këtë sezon presin ulje, e jo ngritje të çmimeve pasi që sipas tij pandemia e koronavirusit ka bërë që të ulen kërkesat për turistë.

“Data e saktë e fillimit të sezonit ende nuk dihet por jemi të sigurtë që sezoni i veror do të hapet në fillim të qershorit ose maksimumi më 15 qershor. Nuk kemi asnjë arsyeje që të ketë lëvizje çmimesh. Madje mund të ketë ulje të çmimeve, pasi që kërkesat janë ulur për shkak të pandemisë”, deklaroi ai./Alban Begolli/arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara