Donjeta Sadiku beson se do arrijë të kualifikohet në Lojërat Olimpike Tokio 2020

12:03 | 8 Shkurt 2020 | Edonis Bytyqi

Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku beson se do arrijë të kualifikohet në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Sipas saj, gjithçka është duke shkuar në rregull dhe synimi kryesor mbetet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike.

Sadiku në një intervistë për portalin arbresh.info, deklaroi se synimi i parë është kualifikimi në garat që do zhvillohen në muajin e ardhshëm.

“Synimet e vitit 2020 se pari është kualifikimi që i kem në muajin mars, ku po marrin pjesë katër boksierë, pra unë dhe tre boksierë tjerë, synimi im është që të kualifikohem në këto gara dhe synimi kryesor i krejt sportistëve edhe i jemi është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike”, tha ajo.

Ndërsa për dallimin mes boksierit ndërkombëtar dhe kosovar, Sadiku tha se zhvillimi i kampeve është e vetmja mungesë e Kosovës në boks.

“Nuk është ndonjë dallim shumë i madh, mungesa në boksin kosovar është zhvillimi i kampeve, sparenxhët me femra, kjo është e vetmja mungesë e Kosovës në boks”, vazhdoi Sadiku.

Ndërkohë, boksierja kosovare beson se shanset që të kualifikohet në Lojërat Olimpike Tokio 2020 janë shumë të mëdha sepse në fund të vitit 2019 është shpallur kampione ballkanike.

“Gjasat janë shumë të mëdha, pra fundi i vitit 2019 ka ardh me një rezultat shumë të madh, ku u shpalla kampione ballkanike e tregova se jam në formën e duhur, po ashtu në janar kam qenë pjesëmarrës në “Strandja” dhe e kam parë vetën që jam mirë dhe besoj që në kualifikuese kam me u kualifiku në Londër”, shtoi ajo.

Në fund, Sadiku deklaroi se është duke u stërvitur dy herë në ditë dhe beson se kampi në Turqi do të jetë shumë ndihmues për të.

“Ushtrimet janë duke shkuar në rregull, stërvitem dy herë në ditë, mëngjes edhe mbrëmje. Tash na kanë mundësi me marrë pjesë në një kamp në Turqi, besoj që ka me qenë ndihmues dhe kam me qenë në formën më të duhur”, përfundoi Donjeta.

Krejt në fund, sipas Donjeta Sadikut ky vit pritet të jetë shumë i suksesshëm./E.Bytyqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara