Kadri Veseli niset për në Hagë, nesër intervistohet nga Specialja

11:43 | 9 Dhjetor 2019

Një nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, aktualisht lider i Partisë Demokratike të Kosovës udhëtoi sot për t’u intervistuar  nga Dhomat e Specializuara.

Ai udhëton në orën 12:30, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, drejtë Vjenës, dhe më pas drejt Hagës, përmes Austrian Airlines.

Nesër, ai do të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në Hagë, shkruan arbresh.info.

Veseli është në mesin e më shumë se 100 personave që i janë përgjigjur ftesave të Speciales për intervistim, qoftë si të dyshuar apo si dëshmitarë.

Kjo intervistë e Veselit fillimisht ishte paraparë për datën 4 dhjetor, por për shkaqe teknike është shtyrë për 10 dhjetor.

“Për shkaqe teknike, intervista e kryetarit Kadri Veseli në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për datën 10 dhjetor”, kishte thënë për arbresh.info  ditë më parë Avni Bytyçi, këshilltar politik i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Veseli e ka nisur misionin e tij çlirimtar si fëmijë, si nxënës i shkollës fillore në Mitrovicë, me demonstratat e prillit të vitit 1981, si pjesëmarrës, e pastaj në shumicën prej tyre edhe si organizator dhe drejtues.

Nga mesi i viteve ’80, ka hyrë me ideal në organizatat patriotike, anti-jugosllave, për ta kundërshtuar robërinë dhe për të punuar për lirinë.

Epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdimisht deklarohet se është pjesa më krenare e jetës së tij.

“Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit”, deklaron ai.

Nga prilli i vitit 1999, deri në qershor të vitit 2008, ka udhëhequr Shërbimin Informativ të Kosovës.

Lufta e drejtë e popullit tonë për liri ka qenë e sulmuar vazhdimisht. Që nga paslufta, ky është procesi i pestë i drejtësisë – të cilës i nënshtrohet kjo luftë. Duke filluar nga UNMIK-u, e për të vazhduar me Gjykatën e Hagës, EULEX-in, drejtësinë vendore, dhe tani me Gjykatën Speciale.

Sipas Veselitm, edhe ky proces duhet të ketë epilog, duke u bazuar në të vërtetën, faktet e drejtësinë, dhe që nuk e dëmton shtetin e Kosovës në pafundësi.

Shumë ish-luftëtarë besojnë se edhe kjo Gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./arbresh.info/

Fjalët e Kadri Veselit para nisjes

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara