Zveçani feston 90 vjetorin e Trepçës, autoritetet kosovare nuk e njohin si festë

14:01 | 7 Dhjetorë 2017

Sot, në Zveçan punëtorët e së kaluarës dhe ata aktual do të mblidhen në Zveçan për të festuar themelimin e Trepçës nga Alfred Chester Beauty, 90 vjet më parë. Por, pavarësisht kësaj, institucionet e Kosovës  nuk kanë organizuar ndonjë festë në shënimin e kësaj ditë. Ekspertët e ekonomisë thonë  Trepça nuk mund të ndahet në baza etnike, dhe me festën në Zveçan, pala serbe dëshiron të përçojë mesazhin se Trepça është e tyre, raporton arbresh.info.

 “Punëtorët e së kaluarës dhe të tashmes në Trepçë, do të mblidhen në #Zvecan për të festuar themelimin e kompanisë nga Alfred Chester Beatty 90 vjet më parë. #Kosovo,” ka shkruar Kordinatori i EULEX-it për veriun e Kosovës, Ian Bancroft, në Twitter.

Pavarësisht kësaj, institucionet e Kosovës nuk kanë planifikuar ndonjë festë të themelimit të gjigantit Trepça, dhe vetë drejtuesit e palës kosovare thonë se nuk e njohin dhjetorin si festë themeluese.

Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, thotë se tradicionalisht kanë shënuar “Javën e Minatorëve”.

“Për neve ‘Java e Minatorëve’, është edhe simbolikë, edhe përvjetor edhe gjithçka , edhe ajo festohet. Është kërkesë që ajo me u zyrtarizu edhe si ditë e minatorëve edhe si përkujtim. Ne kemi Javën e Minatorëve në shkurt , që e përkujton epopenë e lavdishme të minatorëve dhe ajo është datë që e shënon edhe rritjen edhe zhvillimin e po ashtu edhe sakrificën e asaj ku jemi,” është shprehur ai.

Sipas Tmavës, nuk është organizuar asnjë  aktivitet për shënimin e themelimit të Trepçës.

“Jo për sot nuk kemi organizua, asgjë. E thash që 20 deri 28 shkurti është Java e Minatorëve  dhe kjo shënon edhe ditën e minatorëve edhe epopenë e minatorëve edhe gjithçka. As nga Qeveria nuk është organizua asgjë, është Java e Minatorëve 20-28 shkurt,” është shprehur Tmava për arbresh.info.

Musa Limani, njohës i ekonomisë thotë se me këtë manifestim në Zveçan, pala serbe dëshiron të tregojë se Trepça është e tyre.

“Parimisht mundem me thënë se këtë manifestim që e bënë pala tjetër, në atë që po e kuptoj unë, pala serbe dëshiron me tregu që Trepça është e tyre,” është shprehur Limani.

Sipas tij, nuk duhet të lejohet një gjë e tillë dhe Trepça duhet të shihet unike, dhe jo e ndarë në baza nacionale.

“Në atë kuptim dhe nuk duhet të lejohet një gjë e tillë, pra ata mund ta festojnë, nuk është kurrfarë problemi, por Trepça gjithmonë duhet të shikohet si unike, si  gjigand dhe objekt i Kosovës dhe jo i ndarë në baza nacionale,” deklaron Limani.

Alfred Chester Beatty, gjatë fjalës së tij në dhjetor të vitit 1928, theksoi se inxhinierët e tij ishin “unanimë në lavdërimin e tyre për cilësitë e Jugosllavisë dhe besojnë në të ardhmen e këtij kombi patriotik dhe punëtor”./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale