Vuçiqi: S’mund ta njohim Kosovën pa kompromis

13:00 | 6 Shtator 2019

Dy senatorët amerikanë kanë thënë  se procesi i dialogut “do të kërkojë shumë kompromise dhe sakrifica nga të dyja palët”, por kanë  shtuar se pasi të arrihet marrëveshja, “potencialet dhe përfitimet për të dyja vendet do të jenë më të mëdha se ajo që mund të humbet në negociata”.

Johnsoni, republikan, ka thënë se “Amerika është mike e popullit serb” dhe se “dëshiron të bëjë gjithçka të mundur për të mbështetur dialogun dhe procesin, në të cilin të dy popujt duhet të japin diçka dhe të marrin diçka”.

Demokrati Murphy ka thënë se shpreson se pas zgjedhjeve në Kosovë, edhe autoritetet në Prishtinë do t’i bëjnë hapat e nevojshëm për vazhdimin e dialogut.

Ai ka theksuar se mbështetja për dialogun Serbi-Kosovë është një çështje, për të cilën edhe demokratët, edhe republikanët në ShBA bien dakord.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është pezulluar prejse Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka thënë ssenatorëve amerikanë se “Beogradi pret heqjen e taksës” dhe se do “arritjen e një marrëveshjeje të kompromisit”.

Por, ka thënë Vuçiqi, kjo zgjidhje “nuk mundë jetë përmbushje e qëllimeve të njërës palë”, kurse pala serbe të mos fitojë asgjë.

“Serbia mund të diskutojë çdo gjë vetëm nëse ka zgjidhje kompromisi. Në qoftë se nuk ekziston një zgjidhje kompromisi, ne nuk mund ta njohim pavarësinë e Kosovës. Dhe, këtu nuk ka filozofi të madhe”, ka thënë Vuçiq.

“Përmirësimi i marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve dhe vendosja e paqes së qëndrueshme do të ishte e dobishme për serbët dhe shqiptarët, si dhe për të gjithë popujt që jetojnë në rajon”, ka thënë Vuçiqi.

Senatorët amerikanë qëndruan këtë javë edhe në Prishtinë. /Rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara