‘Vlera e bursës së studentit, sa paga e një kamarieri’

13:22 | 8 Janar 2018

Organizata Studentore “Reforma” ka mbajtur sot një aktivitet simbolik për të shprehur kundërshtimin lidhur me vendimit e Këshillit Drejtues të UP-së për uljen e vlerës së bursës studentore për studentë të shkëlqyer, nga 900 në 500 euro.

Me pankarta të ndryshme, studentët kanë shprehur sot para rektoratit të UP-së, pakënaqësinë e tyre ndaj këtij vendimi.

Në njërin nga mesazhet e studentëve në këtë aktivitet shkruante: “Hej a don me apliku për bursë? Jo bre, qaq m’del rroga e kamarierit!”, raporton Arbresh.info.

Arben Elshani, nënkryetar i Organizatës “Reforma” ka thënë para mediave se përmes këtij aktiviteti studentët shprehin kundërshtimin për uljen e bursës dhe kërkojnë që ky vendim të kthehet në rishqyrtim, shkruan arbresh.info.

“Sot ne përmes këtij aktiviteti shpreim jo vetëm kundërshtimin e vendimit dhe të kthehet në rishqyrtim por edhe të kthehet vlera e bursës që ka qenë më herët, 900 euro.  Nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk do të ndalemi deri në shkarkimin e Bordit aktual”, ka thënë Elshani.

Sipas tij, nëse vlera e bursës nuk kthehet siç ka qenë, atëherë studentët do të dalin edhe në protesta./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale