Sylejman Selimi pritet të qëndrojë në spital edhe disa javë, gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë

11:43 | 10 Janar 2019 | Valdete Berisha

Ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi, është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi në një intervistë për portalin arbresh.info ka folur për gjendjen e tij duke thënë se ai do të marrë trajtim edhe javët në vazhdim.

“Sylejman Selimi nuk është hera e parë që është i shtrirë në spital, për shkak që ka probleme të rënda shëndetësore, por që kanë të bëjnë me çështje që ndërlidhen me periudhën e luftës, dhe Selimi ka marrë trajtim mjekësor edhe para arrestimit të tij që ka ndodhur në vitin 2012 për rastin Drenica 1 dhe 2. Ka qenë i hospitalizuar edhe në kampin Bondsteel Amerikan, dhe ka pasur trajtime edhe në Zvicër edhe në Gjermani. I bije që kemi të bëjmë më çështje jashtëzakonisht serioze, dhe ai për më tepër se një muaj është i shtrirë në spitalin e Prishtinës. Ka pasur vetëm një ndërprerje të vogël për çështje teknike, mirëpo është në vazhdim të trajtimit mjekësor, e që sigurisht do të vazhdojë  edhe me javë të tëra”, ka thënë ai./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale