Sot mbahet Gara e Diturisë, nxënësit serbë e bojkotojnë

08:12 | 11 Maj 2019 | Agnesa Çitaku

Sot, në të gjithë nivelin parauniversitar do të mbahet Gara e Diturisë.

Në një intervistë dhënë arbresh.info Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, ka thënë se në këtë garë do të marrin pjesë të gjithë nxënësit prej klasës 1 deri 12.

“Gara për dituri është në kuadër të garës nacionale për dituri që është miratuar në Qeverinë e Kosovës në bazë të planit të veprimit për programin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport. Kjo garë i përfshin të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës nga klasa e 1 deri në të 12-en, e shtuna është ditë punë për të gjithë mësimdhënësit parauniversitar”, ka thënë ai.

Sipas Hotit kjo garë do të ketë 352 teste.

“Në këtë drejtim kanë dhënë mbështetjen e vet edhe përtej obligimeve ligjore MASHT, DKA, dhe sindikatat, kemi pas takime me të gjithë drejtorët komunal dhe ata janë duke mbajtur takime me drejtorët e shkollave dhe duke i pajisur ata me udhëzues për testet. Testet e garës për dituri përfshinë 352 teste që i bie 2 mijë e 500 faqe dhe në total janë mbi 8 milionë faqe për të gjitha komunitetet sepse gara është për të gjitha komunitetet”, ka shtuar ai.

Por pavarësisht se testet janë në të gjitha gjuhët, nxënësit serbë nuk do të marrin pjesë.

“Ne kemi edhe koordinator serb por pas taksës ata e kanë ngrirë bashkëpunimin për te nxënësit serbë dhe nuk do t’i nënshtrohen këtij testi por marrin pjesë në takime”, ka shtuar ai.

E sipas koordinatorit Hoti testet janë hartuar nga 110 ekspertë.

“Janë hartuar prej mbi 110 ekspertë të nivelit akademik, të shkollave të mesme dhe të mësuesve. Natyrisht me një përgjegjësi profesionale që ata kanë dhe çdo test ka edhe nënshkrimin e ekipit që i ka hartuar. Testet nga klasa 5-12 janë me alternativa a dhe b dhe është i hartuar edhe testi plotësues, në qoftese do të ketë vende të njëjta me teste të barabartë do t’i kemi testet plotësuese”, ka thënë ai.

Sipas tij vetëm testet kanë kushtuar 35 mijë euro ndërsa koordinatorët janë paguar 200 euro për muaj.

“Shuma nuk është e madhe, të gjitha testet kushtojnë diku 35 mijë euro sa kemi informacione sepse shpenzimet shkojnë përmes zyrës së kryeministrit ndërsa ekspertë janë paguar diku 200 euro për muaj që është pagesë e baras vlefshme që kanë marrë edhe në kuadër të testit të maturës”, ka shtuar Hoti.

Ndërsa i pyetur për kundërshtimin e disa mësimdhënësve, Hoti ka thënë se e kane obligim ligjor që të mbajnë këtë garë.

“Meqë testi është në vitin e parë ka ndonjë zë aty-këtu që nuk ka informacion të mjaftueshëm ose ka mëndin tjetër por në 99% të rasteve gara ka gjetur mbështetje absolute. Është obligim ligjor, të gjitha shkollat janë të detyruara që ditën e shtunë të jenë në shkollë. Veç listës serbe e cila e ka bojkotuar besoj se nuk do të ketë shkollë tjetër që do të bojkotoj sepse nuk besoj që ka drejtor që dëshiron të shkel ligjin me këmbët e veta”, ka thënë ai.

E mësimdhënësit janë ata që edhe do të monitorojnë dhe kontrollojnë këto teste.

“Përgjegjësia e monitorimit të garave do të bie mbi drejtorin e nivelit shkollor dhe kujdestarët e klasave, do të ketë monitorues edhe nga Universitetet Publike dhe nga shoqëria civile por ne duhet të mësoni t’u ofrojmë besimin edhe institucioneve përkatëse sepse nga përvoja që kemi deri tani nga 15 mijë fitues kemi pasur 3-4 njerëz që janë ankuar. Vlerësimi i testeve do të bëhet nga kujdestarët e klasave, ata do të marrin çelësin dhe do të bëjnë vlerësimin”, ka thënë Hoti.

Në rast të keqpërdorimit, Hoti ka thënë se testet do të diskualifikohen.

“Është i shkruar udhëzimi dhe testi mund të diskualifikohet nëse ka keqpërdorim, është e drejtë e kujdestarit të klasës ta marrë përgjegjësinë dhe nëse nuk mund ta realizoj e përcjell te drejtori i shkollës. Edhe nxënësi ka të drejtë ta kontrolloj testin e tij,  të gjithë nxënësit nga klasa 3 deri 12 duhet t’i nënshkruajnë çdo faqe të testit ndërsa nxënësit e klasës 1 dhe 2 duhet të shkruajnë emrin dhe mbiemrin në çdo faqe të testit”, ka përfunduar ai.

Një ditë para mbajtjes, kjo garë ka marr mbështetjen edhe të Këshillit të Prindërve të Kosovës. Për kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Imret Reshiti, është risi shumë e mirë në Kosovë.

Mbrëmjen e se premtes tri shkolla në Kosovë kanë njoftuar se nuk do të mbajnë garën e diturisë për shkak se organizatorët nuk kanë sjellë në shkolla testet. Gara nuk do të mbahet në shkollën “Ismajl Qemajli” në Prishtinë dhe “Ismajl  Lumi” e “Vëllezërit Domaneku” në Lipjan./A.Çitaku/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara