S’ka arsye që Evropa të lidhë procesin e vizave me idetë për korrigjim kufijsh

00:16 | 12 Tetor 2018

Bejtush Gashi, ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se Evropa s’ka arsye që të lidhë idetë për korrigjim kufijsh me Serbinë, me liberalizimin e vizave për kosovarët.

Ai ka thënë se i kupton eurodeputetët që kanë shprehur hezitim për liberalizim vizash për Kosovën, duke u bazuar në idetë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve. Sipas tij, ata deklarata të tilla japin për shkak të mungesës së informacioneve.

“Deklaratë të tillë dëgjova. Nuk e di sa është e saktë. Shqetësime të tilla kanë shprehur siç jeni informuar edhe ju. Evropa juglindore paraqet gjithmonë shqetësim për shtetet evropiane sepse çdo zhvillim i mundshëm mund të jetë zinxhir i pakontrolluar i proceseve dhe në këtë drejtim hezitimet për një zhvillim të pakontrolluar, në mungesë informacionesh, mund të jetë pse ka deklarata të tilla. Por në kontaktet që kemi pas kemi dhënë shpjegime se nuk ka pse të shqetësohen. Kosova ka Kushtetutën, integritetin, njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar dhe mbi këto parime do të vazhdohet edhe në perspektivë. Kjo fazë ku ndodhemi, faza e finalizimit të dialogut që prodhon marrëveshje të ndërsjellë, që jam i sigurt se do të garantohet nga institucionet ndërkombëtare, do të japë rezultat dhe Ballkani do të përmbushë objektivin, për integrim në strukturat evropiane”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Gashi ka thënë se anëtarësimi në Interpol është prioritet për qeverinë e Kosovës. Sipas tij, ministria që ai udhëheq ka përmbushur gjitha kriteret e kërkuara dhe pret vendim pozitiv në mbledhjen e ardhshme. Ka thënë se edhe Serbia përfiton nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol.

Sipas Gashit, Evropa duhet të vendosë pozitivisht edhe për liberalizim vizash. Ai ka thënë se kanë siguruar Evropën se më nuk do të ketë lëvizje të madhe të qytetarëve dhe se Kosova do të përmbushë kriteret që kërkohen pas liberalizimit

Sa i përket vizitës së presidentit Hashim Thaçi në Ujman dhe përcjelljen nga policia speciale, Gashi ka thënë se duhet të kuptohet “se jo në të gjitha pjesët e Kosovës, vlerësimi për liri të lëvizjes është i njëjtë”.

“Në disa vende ka nevojë për ngritje të shkallës së gatishmërisë për lëvizje dhe në këtë drejtim merret raporti i analizave dhe përcaktohet edhe shkalla e angazhimit të strukturave policore”, ka thënë ai. “Vizitat e presidentit i cakton protokolli dhe brenda territorit, informohet Policia që është e autorizuar dhe garantuese për lëvizje. Nuk e shoh shqetësuese vizitën, por dinamikën e vizitave e cakton ekipi i tij. Njësiti është i caktuar t’i garantojë liri të lëvizjes. Pasi ishte i shoqëruar nga drejtori i policisë, ai më informoi në detaje për atë vizitë”, ka thënë më tej Gashi./koha.net/

Lajmet më të lexuara