Shtyhet votimi i rezolutës për dialogun

12:16 | 7 Nëntor 2018

Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, është shtyrë për një seancë tjetër.

“Ka mbetur që të harmonizohet bashkërisht që të mos krijojmë debat përçarës,” është shprehur Veseli në fillim të seancës plenare, raporton arbresh.info.

Në seancat e mëparshme plenare në mungesë kuorumi kjo pikë nuk ka arritur të miratohet.

Debati për përfshirjen e presidentit, Hashim Thaçi, në dialog ka thelluar ndasitë ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Një pjesë e  madhe e pozitës dhe deputetët e opozitës kundërshtojnë idenë për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

Por, palët nuk po arrijnë të dakordohen për kryesimin e delegacionit të Kosovës nga ana e presidentit Thaçi.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë më të zëshmet rreth kësaj çështjeje.

LDK-ja kërkon zgjedhje të parakohshme, derisa Vetëvendosje e vë në dyshim kredibilitetin e presidentit Thaçi për të finalizuar negociatat me Serbinë.

Pas debatit parlamentar të mbajtur në seancën e jashtëzakonshme të datës 31 tetor 2018, me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së, të Grupit Parlamentar të VV-së dhe deputetëve të Alternativës Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda, u hartua rezoluta me të vetmen pikë “Territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se as Presidenti, e askush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës”.

Partnerët e koalicionit nuk kanë pranuar që pika e gjashtë të riformulohej, sipas kërkesës së propozuesit të rezolutës. Propozimi ka pasur të bëjë me përmendjen e presidentit në rezolutë.

“Kuvendi i Kosovës rithekson se Kushtetuta e Kosovës, sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar janë të pacenueshme, as presidenti dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin”, është propozimi të cilin e ka lexuar gjatë diskutimit Shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti.

Por shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kushti i tyre për ta votuar dokumentin është që propozimi gjashtëpikësh të mos ndryshohet.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme dhe vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës ka autoritet dhe kompetencë për të vendosur për këto çështje”, thuhet në pikën e gjashtë.

Këto janë pikat e propozuara nga PDK-ja:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës i jep mbështetje vazhdimit të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si mënyra më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare obligative ndërmjet të dy shteteve, që do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë shtetërore të të dy palëve dhe me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, si dhe me përshpejtimin e integrimit të Republikës së Kosovë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet për arritjen e konsensusit të brendshëm politik për Dialogun Kosovë – Serbi, duke përfshirë Platformën e përbashkët për Dialogun, që do të përmbajë parimet themeltare dhe pozicionet shtetërore të Republikës së Kosovës për të gjitha çështjet që ndërlidhen me këtë proces.
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës themelon një Komision të veçantë, me përgjegjësi për ta monitoruar nga afër procesin e Dialogut dhe punën e delegacionit të Republikës së Kosovës. Ky Komision do të përbëhet nga Kryetarët e Grupeve Parlamentare dhe do të udhëhiqet nga një përfaqësues i opozitës.
  3. Delegacioni i emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i plotësuar edhe me përfaqëuses të partive opozitare, që do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Dialog,do t’i raportojë rregullisht Komisionit të veçantë për monitorimin e Dialogut mbi ecurinë e këtij procesi dhe zhvillimet e tij.
  4. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka rol qëndror dhe vendimtar në Dialogun Kosovë – Serbi. Marrëveshja eventuale që mund të arrihet nga faza përfundimtare e Dialogut Kosovë – Serbi mund të jetë e vlefshme vetëm pas ratifikimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve ose nëse merr mbështetjen e shumicës së qytetarëve përmes referendumit.
  5. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacënueshme dhe vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës ka autoritet dhe kompetencë për të vendosur për këto çështje”. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale