Shtetet e BE-së nuk mund të thirren në Raportin e Progresit për të mos i liberalizuar vizat

00:07 | 30 Maj 2019

Gazetari Augustin Palokaj, korrespodent i Grupit KOHA në Bruksel, ka përshkruar ngjarjet e sotme në lidhje me publikimin e raportit të progresit, për vendet e Ballkanit, në mënyrë të veçantë atë për Kosovën.

Ai ka thënë se në konferencën për media, nga krerët e BE-së, është folur pak për Kosovën.

Për Kosovën, Palokaj ka cituar të jetë thënë se mbetet problem krimi i organizuar, sidomos në veri të vendit.

Palokaj ka thënë se Mogherini i ka bishtnuar pyetjes së tij se si mund të luftohet krimi në veri kur kihen parasysh deklaratat e Vuçiqit se e ka në gjendje gatishmërie ushtrinë, në momentin kur Kosova bën një aksion për të luftuar krimin në veri.

Palokaj ka thënë se sa i përket përmbajtjes së Raportit të Progresit për Kosovën, ka shumë vërejtje, por të cilat pak a shumë kanë qenë edhe në vitet paraprake.

“Ka kritika për obligimet politike, për mërimet enorme të ministrave që e bën një qeveri që humb kredibilitetin dhe efikasitetin, për mungesën e vullnetit për të luftuar krimin, dhe për mungesën e vullnetit për të zbatuar ligjet sado të mira që janë ato”, ka thënë Palokaj.

“Përfshihet edhe në raport si një shqetësim serioz, që thuhet se nuk është vlerë evropiane që njerëz të dënuar për krime lufte të kenë funksione të larta shtetërore”, ka thënë më tej Palokaj.

Palokaj ka theksuar se Raporti bën thirrje për vazhdimin e dialogut, dhe se Kosova kritikohet për taksën, heqja e së cilës do t’i jepte mundësi rifillimit të dialogut.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Palokaj ka thënë se në BE ka ende shtete që hezitojnë që të marrin këtë vendim për Kosovën.

“Raporti duhet të lexohet me kujdes në ditët në vazhdim. Por në aspektin, shtetet mund të përdorin shumë çështje për të penguar liberalizimin e vizave për Kosovën, mund të përdoret çështja e parashkrimit të lëndëve në Gjykata, etj. mirëpo sa i përket thelbit të Raportit të Progresit shtetet nuk mund të thirren për të mos liberalizuar vizat për Kosovën”, ka thënë ai.

Kur ka folur për vendet tjera, ai ka thënë se janë disa momente të rëndësishme, duke përmendur se Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore i është rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim./koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara