SHSKUK reagon për kardiologun e larguar nga puna, zbulohen arsyet

23:24 | 12 Prill 2019

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka thënë se pretendimet se kardiologu G.B (Gani Bajraktari) është larguar përkohësisht nga puna për qëllime hakmarrje, nuk qëndrojnë, mirëpo i njëjti është larguar për shkak se ka kryer veprën penale “mos ofrim i ndihmës mjekësore”.

“E vërteta është se ai është larguar nga puna për mos ofrim të ndihmës mjekësore, që sipas legjislacionit në fuqi klasifikohet si vepër penale. Ai, sipas ankesës së paraqitur ishte arsyetuar se rasti ishte i rëndë dhe duhej të trajtohej në spitale private, edhe pse ky shërbim ofrohet 24 orë në QKUK.

Po ashtu, në vazhdimësi janë pranuar ankesa nga pacientët dhe familjarët e tyre, se i njëjti ka referuar pacientë të tjerë në institucione shëndetësore private, pra në spitalin privat ku ai punon.

Ekzistojnë prova dhe dëshmi nga pacientët që i njëjti ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimeve materiale”, ka thënë SHSKUK në një njoftim për media.

SHSKUK ka thënë se faktet dhe argumentet do t’i dërgojë tek organet kompetente që të hulumtojnë rastin në mënyrë të pavarur.

Poashtu, SHSKUK ka thënë se paralelisht komisioni disiplinor do të merret me rastin dhe do marrë vendimin, bazuar në faktet që ka.

“SHSKUK nuk do të lejojë askënd që të keqpërdorë detyrën zyrtare dhe do të marrë seriozisht raportimet dhe ankesat e pacientëve”, përfundon Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara