Shoqëria civile bojkoton grupin punues për reformat zgjedhore

10:32 | 21 Qershor 2019 | Vlora Selimi

Me moton “tërhiqeni ligjin”, edhe sot shoqëria civile ka protestuar para Kuvendit të Kosovës.

Valmir Ismaili , nga organizata D+ tha se kanë marrë vendim që mos të marrin pjesë në grupin punues për reformat zgjedhore deri sa nuk tërhiqet Projektligji për financimin e partive politike, shkruan arbresh.info.

“Disa prej neve sot, kemi pasur të jemi pjesë për reformë zgjedhore. Ne kemi vendosur ta bojkotojmë këtë grup punues përderisa Qeveria se heq ligjin për financimin e partive politike. Ne do të kërkojmë edhe mendimin e Avokatit të Popullit. Për këtë kërkesë janë pajtuar edhe ndërkombëtarët pasi që ky ligj është kundër Kushtetutës”.

Arbresha Logja drejtoreshë e  GLPS-së, tha se do të kthehen në grupin punues dhe në Komisionin ad-hoc vetëm atëherë kur të pranohen edhe rekomandimet e shoqërisë civile për ligjin për financimin e partive politike.

“Ne si organizata që kemi qenë të përfshirë i bëjmë thirrje deputetëve që mos ta votojnë këtë, pasi është kundër Kushtetutës. Ne kthemi në grupin punues dhe komisionin ad-hoc vetëm kur të jenë të gatshëm për të marr mendimin tonë dhe kur ky ligj bëhet në pajtim me Venecian”.

Shoqëria civile, të hënën ka marshuar në shenjë pakënaqësie për projektligjin  për financimin e partive politike, projektligj ky që ka kaluar në lexim të parë.

Përmes këtyre protestave ata po kërkojnë që ky ligj mos të votohet dhe të tërhiqet./arbresh.info/(Foto: Ruzhdi Pacolli)

Lajmet më të lexuara