Shoqata e Malazezëve të Kosovës i shkruan ministrit Tahiri: Gjyqësori i Kosovës po i mbron mashtruesit ordinerë

11:00 | 11 Korrik 2019

Shoqata e Malazezëve të Kosovës i kanë drejtuar një letër të hapur sot ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ku janë ankuar për mos efikasitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovës.

Në reagim thuhet që sistemi gjyqësor i Kosovës është shndërruar në bashkëpunëtor të ‘mashtruesve ordinerë’.

Shkas për këtë reagim janë dy padi që i ka ngritur kjo shoqatë, njërën ndaj një kompanie të Mitrovicës dhe njërën ndaj një personi fizik, për të cilat thonë se nuk është caktuar qoftë edhe një seancë, edhe përkundër faktit se paditë janë ngritur në qershor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti.

“Për shkak të zvarritjeve joadekuate të gjykimeve civile, sistemi gjyqësor në Kosovë është bërë motivuesi më i rëndësishëm, bashkëpunëtori i tërthortë dhe mbrojtësi më i mirë i mashtruesve ordinerë. Prokuroria dhe gjyqësori, përmes zvarritjeve brutale dhe mosrespektimit të afateve ligjore, punojnë drejtpërdrejt kundër Ligjit, palës së dëmtuar dhe vetë sistemit shtetëror”, thuhet në reagim.

“Konkretisht, Shoqata e Malazezëve të Kosovës ka ngritur një padi kundër kompanisë “IDEAL” nga Mitrovica e Jugut më 30 janar 2019, por ende nuk është caktuar qoftë edhe një seancë. Rasti i njëjtë është edhe me padinë që kam paraqitur personalisht kundër një personi fizik, më 29 qershor 2018”, thonë ata teksa shpjegojnë dy rastet e tyre për të cilat drejtësia s’ka ndërmarrë asgjë.

Në reagim thuhet që ata janë në dijeni se ka raste që presin për drejtësi edhe për vite të tëra, dhe thonë se një gjë e tillë është më shumë se turp, sepse ata që duhet të vendosin drejtësinë, luajn dhe shkatërrojnë komunitetet.

“I nderuar Ministër Tahiri, ne jemi në dijeni se ka raste që presin për drejtësi për më shumë se tetë vjet, dhe për këtë është pak të thuhet turp. Ata që duhet ta mbrojnë ligjin dhe ta sjellin drejtësinë në këtë mënyrë, luajnë dhe shkatërrojnë komunitetet, familjet ose individët. Prandaj, ne besojmë se do t’i ndërmerrni menjëherë hapat e duhur, në mënyrë që secili ta fitojë drejtësinë në afatin e caktuar ligjor”, përfundon reagimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara