Sheshel i bën thirrje Rusisë t’i vendosë forcat ushtarake në Serbi!

15:02 | 13 Mars 2018

Lideri i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel ka deklaruar sot se presionet e SHBA ndaj Serbisë po përforcohen dhe po hyjnë në fazën serioze.

Sipas fjalëve të tij, kjo po shihet nëpërmes të ardhjes së zyrtarit të lartë amerikan Wes Michell, i cili ka ardhur në Serbi për t’ia dorëzuar “ultimatumin” që ta pranojë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe ta detyrojë udhëheqjen shtetërore t’i vendosin sanksione Rusisë.

“Hyrja e Kosovës në KB do të ishte njohja e pavarësisë së saj, edhe nëse Serbia nuk bie ndonjë akt zyrtar në lidhje me këtë çështje. Kush e pyet Serbinë se a e njeh pavarësinë e Kosovës, kur ajo është anëtare e KB”, i ka thënë Sheshel gazetarëve në Kuvendin e Serbisë.

Ai ka shtuar se nëse SHBA “me thikë në fyt” e detyron kryetarin e Serbisë si dhe qeverinë ta njohin Kosovë, kjo do të ishte “fillimi i fundit të Serbisë”.

Ai ka thënë se Michell ka ardhur në Ballkan që ta ndalë ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe t’i bëjë presion kryetarit Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë serbe që t’i vendosin sanksione Rusisë. Sheshel ka thënë se Michell gjithashtu e ka zbuluar qëllimin e SHBA që “ta okupojnë Brçkon, në mënyrë që ta copëtojnë Republika Serpskan dhe t’ia bashkëngjisin Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sheshel i bëri thirrje qeverisë dhe kryetarit serb që të ndërmarrin masat urgjente që Serbia t’i bashkëngjitet ODKB, aleancën ushtarake nën udhëheqjen ruse dhe kërkon nga Rusia që t’i fusë forcat e veta ushtarake në perëndim të Serbisë.

“Shpëtimi i vetëm është në aleancën e drejtpërdrejtë me Rusinë. Vetëm Rusia mund t’i zmbrapsë amerikanët prej planeve të tyre të marra për Ballkanin”, ka thënë Sheshel.

Shpërndaje në rrjete sociale