Ramiz Kelmendi tregon se çka bisedoi me kryeministrin Haradinaj

20:28 | 17 Korrik 2019

Asfalti ishte tema e takimit mes deputetit dhe biznesmenit pejan, Ramiz Kelmendi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai tha se kryeministri e kishte thirrur në takim për të biseduar rreth ndërtimit të rrugëve dhe mundësisë për lehtësimin e jetës së qytetarëve duke investuar në rreth rrotullime, hapësira për këmbësor me udhëzues.

“Si me shtu numër të caktuar të rrethrrotullimeve në mënyrë që i punësuari të shkojë më lehtë në punë sepse nëse rritet kostoja e shkuarjes në punë, e dimë që po zvogëlohen të ardhurat personale. Ose, kemi shumë familjarë që jetojnë në pjesë të dy rrugëve dhe si të kalojë ai familjar e të shkojë të pijë kafe te vëllai a motra dhe aty të ndërtohen edhe hapësira për këmbësorë me semaforë udhëzues”, ka thënë Kelmendi.

Deputeti foli edhe për rrugët që janë ndërtuar deri tash duke thënë se ndonëse me çmimin më të lartë në rajon, asnjë prej tyre nuk janë në funksion të ekonomisë.

“Aspak nuk janë në funksion të ekonomisë”, tha ai.

Jeta politike nuk i ka shërbyer për përfitime personale dhe biznesore deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Ai në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se nëse i përkushtohet zhvillim të vendit atëherë nuk mundet që në të njëjtën kohë të ketë edhe përfitime biznesore.

“Unë nuk kam parë asnjë hajër, asnjë interes dhe jo që nuk kam parë, po as nuk kam kërkuar. Unë kam mujt veç me humb, unë jam i kënaqur nëse unë stagnoj e Kosova ec përpara. Në momentin që ti ia ndan një kohë zhvillimit të Kosovës, ti s’mundesh me përfitu në dy drejtime”, ka thënë ai.

Gjatë kohës sa ishte zv.kryeministër, deputeti Ramiz Kelmendi ka thënë se e njeh si arritjen e tij më të madhe shtyrjen e çështjes së heqjes së doganës për produkte të caktuara.

Ai tha se ndonëse ende nuk janë hequr tërësisht, gjatë kohës sa në qeveri ishte Isa Mustafa, përfitues ishin të gjithë.

Mirëpo, tash tha Kelmendi, po e pëson vetë djali i tij meqë komisioni nuk po ia njeh produktin si prodhim.

Ai tha se asnjë prej produkteve, as kafja e as kikiriku, nuk janë prodhime vendore, mirëpo për kafenë s’paguhet doganë ndërsa për kikirikun po.

“Edhe ujin që e mbushim, veç uji është i joni, as s’është tiketa, as s’është gota. S’ka gotë prodhim vendor, kur unë them që s’ka, duhet me kuptu që s’ka. As kafja nuk prodhohet në Kosovë, e kafja s’ka doganë, kurse kikiriku ka doganë”, deklaroi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara