Punonjësit shëndetësorë kërkojnë nga Qeveria pagë 4 mijë euro

09:56 | 12 Janar 2019 | Elmedina Ballazhi

Nga greva e punonjësve të shëndetësisë, për rritjen e pagës nga Qeveria e Kosovës, kirurgët kërkojnë pagë deri në 4 mijë euro.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla në një intervistë për Arbresh.info, ka thënë se kirurgët abdominalë kanë parashtruar një kërkesë dhe se i përkrahë kërkesat e tyre.

“Kirurgët abdominalë e kanë parashtruar kërkesën e tyre në lidhje me pagat dhe me sigurimet shëndetësore për shkak të mungesës së performancës nga Qeveria e Kosovës, dhe unë jam përkrahës i tyre me kërkesat e tyre”, ka thënë Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

Ai ndër të tjera, për Arbresh.info, tha se përfaqëson mbi 14 mijë punëtorë shëndetësorë të Sindikatës, ku 11 mijë prej tyre janë aktivë dhe sa ka ushtruar këtë detyrë ka pasur rritje të pagave.

“Prej momentit që unë jam kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, mjekët kanë pasur page 247 euro ndërsa tash kanë page 670 euro, kujdestaria atëherë është paguar 13 euro ndërsa tani paguhet vetëm vikendeve 170 euro, një motër medicinale ka pasur pagë 147 euro, sot ka pagë 400 euro vetëm me kujdestari e jo me ndërrime”, ka deklaruar Syla.

Lidhur me problemin e barnave, ndër të tjera, kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla, deklaroi se ka përmirësime për shkak të buxhetit që është rritur vitin e kaluar.

“Janë disa problem ekonomike, por e mira e gjithë kësaj është se ka pasur përmirësime në shëndetësi, sepse ka rritje të buxhetit për 30 milionë euro, e sidomos në Kardiologji Invazive, Kardiokirurgji, Onkologji, e mos të flasim në Klinikën e Gjinekologjisë që ka rregullat e saj”, ka theksuar Syla.

Në fund ai apelon kirurgët që t’i thërrasin mendjes me ato kërkesa, ndërsa për institucionet ka një kërkesë që sa më shpejtë të jetë e mundur ta aprovojnë Ligjin për Paga të punonjësve shëndetësorë, sepse Federata Sindikale e Shëndetësisë, nuk e ka bazë vetëm mirëqenien e punonjësve shëndetësorë, por edhe të pacientëve./Arbresh.info/E.Ballazhi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara