Policia jep detaje lidhur me zjarrin në Prishtinë

17:09 | 21 Qershor 2019

Në orët e pasdites një objekt është përfshirë nga zjarri në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.

Me këtë rast, njësitet përkatëse policore e mjekësore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes , ku këta të fundit kanë arritur të shuajnë zjarrin, raporton arbresh.info.

“Sot rreth orës 15:30, policia ka marrë informatën se në  rrugën “ Rrustem Statovci” në Prishtinë,  është duke dalë tym prej dy objekteve”, ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

LEXO EDHE: Përfshihen nga zjarri dy banesa, ka të lënduar

“Pas evakuimit të banorëve, policia bashkërisht edhe me faktorët e tjerë relevant po punojnë me intensitet të shtuar për të sqaruar të gjitha rrethanat nën të cilat ka ndodhur rasti”.

Policia për portali arbresh.info e ka konfirmuar rastin duke thënë se në bazë të ekzaminimit fillestar, është ngritur dyshimi se tymi mund të jetë shkaktuar nga faktori njeri.

Një person i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor për kyçje ilegale në kabllo elektrike.

“ Mbështetur në rezultatet e para të hetimit si dhe të atyre të ekzaminimit të vendngjarjes është  ngritur dyshimi e bazuar se tymi mund të jetë shkaktuar nga faktori njeri, saktësisht nga persona të dyshuar që në mënyrë ilegale kanë qenë duke punuar në  kabllo elektrike dhe njësorët e rrymës, të cilat janë të vendosura në ndërtesat në fjalë. Gjë për të cilën policia ka shoqëruar në stacion policor një person të dyshuar”, tha ajo më tej.

Ahmeti tutje tha se nuk ka pasur pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale.

“Në këtë rast pasoja në njerëz nuk ka pasur, janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale”./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara