Pas problemeve me rrymën në veri, telashe të mëdha edhe me ujin

14:54 | 23 Prill 2019

Ujësjellësi i Mitrovicës ka probleme serioze me inkasim në pjesën veriore dhe si rezultat i kësaj në vazhdimësi ka vonesa në pagesa të obligimeve që ka ndaj “Ibër Lepencit” dhe KEDS-it në energji për pompa, raporton arbresh.info.

Këtë shqetësim e ka paraqitur para kabinetit qeveritar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, duke shtuar se borxhet e akumuluara janë jashtëzakonisht të mëdha dhe vështirësojnë operimin.

“Në baza të rregullta përfundon tek përmbaruesi. Ku vetëm në vitet e fundit diku rreth 200 mijë euro përmbaruesit i kanë mbledhë për shkak të bllokimi të llogarive që kanë bo. Sidomos nga ‘Ibër Lepenci’ tek Ujësjellësi i Mitrovicës, dhe kjo po krijon në vazhdimësi vështirësi dhe në vazhdimësi po jemi në telashe,” është shprehur ministri Lluka.

Si rrjedhojë e këtyre telasheve, KEDS-i i ka ndalë pompat, dhe si rezultat ka ndalë furnizimin me ujë në veri.

“Dhe kështu po duhet me u marrë në vazhdimësi me harrnu pak situatën, apo me gjetë një zgjidhje të përkohshme,” është shprehur Lluka para kabinetit.

Ai propozoi të bëhet një zgjidhje e qëndrueshme rreth kësaj.

“Çfarë qasje dhe çfarë zgjidhje mundemi me i bo bashkërisht si qeveri që me i ndihmu edhe Ujësjellësit të Mitrovicës, por edhe me pasë një zgjidhje më të qëndrueshme që nuk vjen deri te këto probleme.  Inaksimi në veri është zero, kurse furnizimi është i rregullt. Inkasimi në pjesën jugore të Mitrovicës është mbi 70 për qind, por nuk janë të mjaftueshme, në lidhje me obligimet që i ka Ujësjellësi i Mitrovicës,” bënë të ditur ministri Lluka.

Problem tjetër, ai përmend se për sasinë që e furnizon veriun lëshohen fatura, dhe hynë në obligime me TVSh.

“Pra, TVSh-ja paguhet edhe për pjesën e ujit që shkon në Mitrovicën e veriut dhe nuk inkasohet.”

Përgjigje mori nga kryeministri, Ramush Haradinaj, por jo në seriozitetin që e parashtroi.

“Meqë nuk jemi organ këshill-dhënës, herën tjetër merreni një listë të propozimeve se çka do të bëjmë konkretisht,” është shprehur Haradinaj, pa dhënë ndonjë qëndrim të qartë nëse do të angazhohet për një zgjidhje rreth kësaj çështjeje./arbresh.info/

 

Lajmet më të lexuara