Oda e Afarizmit kërkon të largohet tarifa për dezinfektim ose të mbulohet nga shteti

15:27 | 1 Qershor 2020

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga autoritetet shtetërore që ta largojnë tarifën për dezinfektimin e mjeteve që hyjnë në Kosovë, transmeton arbresh.info.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka pranuar me shqetësim vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për vendosjen e një tarife për dezinfektim të mjeteve në hyrje të Kosovës, në këtë rast OAK ka kërkuar largimin e menjëhershëm të saj ose që të mbulohet kjo kosto nga shteti.

Bizneset anëtare të sektorit të transportit kanë shprehur shqetësim lidhur me vendimin nga MPBAP, i cili nga data 01.60.2020, obligon këto biznese që të paguajnë tarifa shtesë për kamionët që hyjnë në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, kërkohet dezinfektimi i të gjitha mjeteve të rënda që hyjnë në pikat kufitare në territorin e Republikës së Kosovës si masë mbrojtëse.

Në këtë rast, biznesi i kontraktuar nga Ministria ka paraqitur disa tarifa të larta, duke filluar nga 17 euro deri në 22 euro, varësisht nga pesha e mjetit.

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që të largohen këto tarifa, sepse konsiderohen shumë të larta për bizneset, e sidomos tani duke pasur parasysh vështirësitë ekonomike që po hasin./arbresh.info/

 

Lajmet më të lexuara