Ministria e Integrimeve: Kontrata me kompaninë këshilluese nga SHBA është bërë për shkak të lobimit nga Serbia kundër Kosovës

22:07 | 11 Korrik 2019

Ministria e Integrimeve Evropiane ka reaguar lidhur me lajmet për marrëveshjen e kësaj ministrie me kompaninë këshilluese nga SHBA “Madison Global Strategies LLC”.

Në reagim thuhet se duke u ballafaquar me një ofensivë të rëndë lobimi nga Serbia në të gjitha qendrat botërore të vendimmarrjes, me qindra miliona euro të shpenzuara në lobim kundër Kosovës, kjo është gjëja më e pakët që mund të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas reagimit kjo marrëveshje ka qenë dhe është krejtësisht transparente dhe ligjore, dhe se asnjë procedurë e vetme nuk është shkelur.

Lidhur me këtë marrëveshje ka reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, i cili në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Sejdiu, ka bashkangjitur një fotografi dhe ka shkruar se “për këta “njerëz” burgu pak është”.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

Pas raportimit të disa mediave lidhur me marrëveshjen e Ministrisë së Integrimit Evropian me kompaninë këshilluese nga SHBA “Madison Global Strategies LLC”, dëshirojmë të sqarojmë se:

Lobimi është praktikë e njohur dhe krejtësisht legjitime të cilën e aplikojnë shtetet për ti avancuar dhe mbrojtur interesat e tyre në botë. Në këtë kontekst nuk bënë përjashtim as Republika e Kosovës.

Duke u ballafaquar me një ofensivë të rëndë lobimi nga Serbia në të gjitha qendrat botërore të vendimmarrjes, me qindra miliona euro të shpenzuara në lobim kundër Kosovës, kjo është gjëja më e pakët që mund të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës.
Kjo kompani këshilluese fushëveprimin e punës dhe aktivitetet lobuese për shtetin e Kosovës nuk i ka të kufizuara vetëm në SHBA, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje ka qenë dhe është krejtësisht transparente dhe ligjore.
Asnjë procedurë e vetme nuk është shkelur. Të gjitha detajet e saj janë publike dhe mund të gjenden në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Siç edhe mund të shihet në kontratën publike, palë kontraktuese në këtë marrëveshje janë vetëm Ministria e Integrimit Evropian dhe kompania në fjalë.
Po ashtu, duam të theksojmë se baza ligjore e Republikës së Kosovës, e lejon parimin e konfidencialitetit në rastet e lidhjes së kontratave për çështje të ndryshme me interes shtetëror.

Mirëpo, fakti që kjo kontratë është tërësisht publike, dëshmon se nuk ka asgjë për t’u fshehur dhe është praktikë mëse normale për çdo shtet.

Për ta parë marrëveshjen me këtë kompani kliko KËTU.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara