Milaim Zeka flet për humbjen e vet dhe fitoren e Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit

12:22 | 8 Tetor 2019

Pavarësisht se me partinë e tij nuk arriti që ta kalojë pragun, e mbeti jashtë Kuvendit, Milaim Zeka iu është gëzuar fitores së Vetëvendosjes. Në një prononcim për Gazetën Express, kreu i PEK-ut, e krahason fitoren e Albin Kurtit me bombardimet e NATO-s e pavarësinë e Kosovës.

Milaim Zeka karrierën e tij në politikë vendosi që të mos ta vazhdojë në partinë e udhëhequr nga Fatmir Limaj, por, i vetëm të sjellë në skenën politike në vend një parti të re.

Pak para se që vendi të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, Zeka vetëm se kishte krijuar partinë e tij PEK.

Mirëpo, Partia Euroatlantike e Kosovës, nuk arriti që të kalojë pragun për të hyrë në Kuvend të Kosovës.

Pavarësisht kësaj Zeka si duket iu gëzua rezultatit. Në një bisedë për Gazetën Express, kreu i PEK-ut, po thotë se është i lumtur për fitoren e Vetëvendosjes, derisa e ka konsideruar atë si një nga momentet më historike që prej shpalljes së pavarësisë.

“Unë personalisht jam nga njerëzit e parë atë natë që e kam uru publikisht dhe kam thënë që dërgimi i klasës së vjetër politike në pension të përkohshëm është fitorja më e madhe e Kosovës prej shpalljes së pavarësisë edhe deri sot. Tre momente i konsideroj të rëndësishme në jetën politike të këtij vendi, momenti dita e lirisë 24 marsi, kur kanë fillu bombardimet momenti i dytë është shpallja e pavarësisë së Kosovës edhe momenti i tretë është dita e diele që zgjedhjet kanë shku në mënyrë paqësore edhe kasta e vjetër politike ka ra prej skenës politike, unë mendoj që e vetmja bukël që i njek minjtë e të kaluarës politike në Kosovës është Albin Kurti, a kam dilema a kam pikëpyetje në mënyrën qysh ai do ta udhëheq Kosovën i kam 1 milionë pikëpyetje, por, u dashtë me ardh një njeri si Albin Kurti për me hallakatë klasën e vjetër politike e cila është dashtë realisht vetë me u tërheqë prej skenës politike”, tha ai.

Derisa ka folur për rezultatin që ka marrë partia të cilën ai udhëheq në zgjedhje, Zeka shton se nuk është i zhgënjyer.

“Aspak nuk jam i zhgënjyer, për arsye se nën 1 nuk kemi pas komisioner, 10 % të votave vetëm në Drenicë janë të pavlefshme dhe nën 3 nuk kemi pritë rezultat tjetër, dhe nuk kam hi në garë për me fitu, kam hy në garë për me i tregu qytetarëve të Kosovës që ka dikush etikë kod e moral politikë”, shton ai.

Milaim Zeka ka folur edhe për atë se a do të bashkëpunonte me Albin Kurtin nëse do të merrte ftesë nga ai.

“Unë mendoj që e vetmja gjë që mundem me ndihmu Albin Kurtin është duke pasur parasysh të kaluarën time politike, mënyrën ma perfektë e kisha udhëheq delegacionin e Kosovës për të zhdukur duke pas parasysh që edhe nana ime është e zhdukur vetën time e shoh në këtë pikë, mund ta ndihmoja Albin Kurtin, nëse ai konsideron që unë jam njeri që mund ta ndihmoj”, ka thënë ai.

Kreu i PEK-ut, tha se ka pak mëdyshje sa i përket krijimit të një qeverie në mes të LDK-së e Vetëevendosjes, e shton se ka kritikë për Albin Kurtin për atë që tha se nuk do të lejojë ministra të Listës Serbe në Qeverinë e tij.

“Unë e njoh LDK-në mendoj që ka me kanë bejgi një problem i madh formimi i qeverisë, por, ajo mu që më ka habit është deklarata e Kurtit që tha se nuk e pranoj listën Serbe në qeveri kur e dinë që një gjë të tillë nuk mundet me ba, sepse kushtetuta thotë decidivisht se nuk mund të krijohet asnjë qeveri e Kosovës pa qenë brenda Lista Serbe, prandaj Albini ma së pari duhet me ndryshu kushtetutën pastaj me dhanë një deklaratë të tillë. LDK ndodhet para një dileme shumë të madhe sepse krahu që është kundër VV -së, është ma i fuqishëm sesa Vjosa Osmani”, ka bërë të ditur ai.

Partia Euroatlantike e Kosovës e udhëhequr nga Milaim Zeka ka arritur që të sigurojë vetëm 1065 vota në zgjedhjet e gjashtë tetorit, apo 0.14%./GazetaExpress/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara