Mandati negociues me Serbinë duhet të jetë i kufizuar

12:15 | 13 Maj 2019

Taulant Kryeziu gjatë prezantimit të studimit të Institutit EPIK në lidhje me kuadrin kushtetues të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se mandati negociues me Serbinë duhet të jetë i kufizuar.

“Mandatimi i Ekipit Negociator dhe platformës për dialogun do të duhej të bëhej me 80 vota në Kuvendin e Kosovës, dhe të vendoset kufizimi i mandatit negociues,” shprehet Kryeziu, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme të respektohet kuadri kushtetues i dialogut Kosovë-Serbi.

“Edhe kur të dilet jashtë këtyre kufijve juridik duhet të ndjeket Kushtetuta përmes Kuvendit të Kosovës,” deklaron Kryeziu.

Ai thotë se me Ligjin për dialogun nuk janë materializuar obligimet e dala nga rezoluta e që kanë të bëjnë me Ekipin Negociator, vendimmarrjen unanime dhe të qenit e opozitës si faktorë determinues.

Këto komente u bënë në tryezën “Kuadri Kushtetues i Procesit të Dialogut Kosovë – Serbi”.

Me 8 mars 2011 filloi dialogu Kosovë-Serbi, që kishte për bazë Rezolutën 64/298 të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shtator të vitit 2010, ku Bashkimi Evropian do luante rolin e ndërmjetësuesit në këtë proces.

Fillimisht dialogu kishte natyrë teknike i koncentruar në tri çështje kryesore: nxitjen e bashkëpunimit mes të dy vendeve, mbështetjen e procesit të integrimit Evropian; dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, me theks të veçantë integrimin e strukturave paralele në kuadër të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Pas arritjes së marrëveshjeve të para teknike u bë e qartë për të gjithë se ky dialog teknik po hap tema të cilat ndikojnë në çështjet e thella politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Viti 2018 shënoi nisjen e diskutimit të idesë të shkëmbimit të territoreve, diskurs ky që shkaktoj konfuzitet, polarizim të shoqërisë dhe skenës politike, si dhe mos unifikim te faktorit ndërkombëtar./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara