Lluka: Qeveria e PDK-së e ngulfati Telekomin duke punësuar mijëra persona

00:14 | 7 Shtator 2019

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, vlerësoi se gjendja në Telekom aktualisht është e mjerueshme. Për këtë situatë Lluka radhiti disa arsye, përderisa hodhi akuza ndaj PDK-së dhe LDK-së.

“Në vitin 2009-2010 gjatë qeverisjes së PDK-së dhe LDK-së, ka ndodhur punësimi i rreth një mijë personave në Telekom. Aty ka filluar ngulfatja e Telekomit zyrtarisht”.

“Ne qeverinë e kaluar kryeministri Isa Mustafa vetëm njëherë e ka përmend fjalën Telekom, në një status në Facebook , kur është bërë drejtor Agron Mustafa. Kjo ka qenë perkushtueshmëria e qeverisë së kaluar për ta shikuar se si i ka punët Telekomi”.

“Deri në vitin 2015 edhe pse ka qenë duke operuar me humbje kanë marrë dividentë prej 15 milionë euro”.

“Në vazhdimësi Telekomi është mjelë nga qeveria dhe që nga viti 2012/13 kurdo që është shpallë privatizimi asnjë investim nuk është bërë. Vetëm i kanë marrë, i kanë marrë ndërkohë duke ia rritë politikisht presionin me marrë të punësuar në këtë ndërmarrje pra. Ka pasur nepotizëm klasik në vazhdimësi që nga paslufta dhe kjo normalisht e ka rëndu situatën”.

Për ndryshimin e gjendjes së Telekomit, që dikur kishte të hyra 80 milionë në vit ndërsa tani ka rreth 15 milionë humbje, ai prezantoi edhe një plan.

“Kemi bërë në vazhdimësi inkuadrimin e Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim për të na ndihmuar në ristrukturimin e Telekomit. Kemi përzgjedhë një kompani top në botë dhe do të vijë ta bëjë ristrukturimin e Telekomit”, njofton Klan Kosova.

“Zgjidhja është privatizimi Telekomit me një institucion kredibil siç është BERZH-i. Duhet ta ristrukturojmë dhe interesi është jashtëzakonisht i madh nga kompanitë ndërkombëtare, është një momentum që nuk duhet ta humbim. Duhet ta sjellim një kompani që qytetarët të kenë shërbime më të mira dhe të ketë pako atraktive për rajonin”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara