LDK-ja nuk e pranon kandidaturën e Stavilecit dhe Thaçit për drejtor të KEK-ut

14:33 | 14 Shtatorë 2018

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka reaguar për kandidaturën e Blerand Stavilecit dhe Njazi Thaçit për Kryeshef Ekzekutiv të KEK-ut. LDK-ja e ka konsideruar të papranueshme duke thënë se Kosova ka mjaft ekspertë të fushës së energjisë dhe se vazhdimi i kapjes së këtij sektori do të ketë pasoja për të gjithë qytetarët e vendit.

LDK-ja ka shkruar se derisa çështja e dialogut me Serbinë po mbizotëron debatin në Kosovë, koalicioni qeveritar po vazhdon kapjen e institucioneve. Para dy dite, Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal diskutoi për zgjedhjen e Kryesuesit të Bordit të ZRrE-së. Sipas LDK-së ky është një institucion tepër i rëndësishëm, duke marrë parasysh zhvillimet që pritet të ndodhin në sektorin e energjisë.

“Qeveria e Kosovës jashtëligjshëm dhe duke shkelë Memorandumin e Bashkëpunimit me Ambasadën Britanike, ia dërguan në Kuvendin e Kosovës emrat e dy personave që janë vlerësuar me pikë minimale krahasuar me dy kandidatët e tjerë të vlerësuar nga komisioni vlerësues. I gjithë ky proces është vëzhguar nga kompania e angazhuar nga Ambasadës Britanike. Komisioni me insistim të opozitës ka kërkuar sqarime nga Qeveria’, ka shkruar LDK.

Dje gjithashtu u raportua për kandidaturën e Blerand Stavileci dhe një familjari të Hashim Thaçit për Kryeshef Ekzekutiv të KEK-ut.

“LDK-ja e konsideron këtë të papranueshme, Kosova ka mjaft ekspertë të fushës së energjisë dhe se vazhdimi i kapjes së këtij sektori do të ketë pasoja për të gjithë qytetarët e vendit”, shkruhet në komunikatë.

“PDK dhe AAK, si partnerë qeverisës, e kanë obligim të merren edhe me grevën e punëtorëve të KEDS-it, sepse të parët kanë marrë përgjegjësi për të udhëhequr ndërkaq të dytë pos tjerash kanë përgjegjës për privatizimin e distribucionit”, ka shkruar në fund LDK.

 

Shpërndaje në rrjete sociale