Kuvendi ende nuk e ka miratuar planin e punës për vitin 2019

08:12 | 27 Prill 2019 | Vlora Selimi

Ndonëse jemi duke hyrë në muajin e pestë të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka miratuar  planin e punës për vitin 2019.

Kjo ka ardhur si rezultat i mos dakordimeve mes pozitës e opozitës, thotë për arbresh.info, Agnesa Haxhiu, monitoruese e Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas saj, mungesa e mbajtjes të seancave të rregullta dhe numri i madh i seancave të jashtëzakonshme ka bërë që procesi i rregullt i Kuvendit  të ngece.

 “Edhe pse jemi në mes të muajit prill Kuvendi ende nuk e ka miratuar plan – programin e punës për vitin 2019. Numri i madh i seancave të jashtëzakonshme të mbajtura për këtë periudhë (janar – prill ) ka lënë anash zhvillimin e seancave plenare me një sërë pikash që kanë mbetur të papërfunduara që nga muaji tetor i vitit 2017. Në pesë prej seancave të mbajtura gjatë pjesës së parë të këtij viti prej tyre janë zhvilluar debate parlamentare, por që asnjë prej nuk ka përfunduar për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar rezolutat/ rekomandimet e nxjerra nga këto debate si dhe për shkak të mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare atyre të pozitës dhe opozitës për harmonizim të rezolutave/rekomandimeve të propozuara”.

E mungesa e kuorumit në Kuvend dhe shkuarja e opozitës në seanca të rralla duke injoruar shumicën prej tyre ka bërë që për këtë vit të barten rreth 133 projektligje për shqyrtim.

Sipas Haxhiut, do të jetë mjaft e vështirë që të miratohen gjithë këto projektligje gjatë këtij viti, duke e pasur parasysh bllokadën që po bëhet në seancat e rregullta.

“Bllokimi i këtyre pikave në seanca, sidomos pikat që kanë për shqyrtim projektligjet në parim të cilat nuk po arrijnë të votohen për mungesë të kuorumit ka ndikuar jashtëzakonisht shumë edhe në dinamikën e ulët të punës edhe tek komisionet parlamentare në procesin e amendamentit të projektligjeve meqë të njëjta nuk po arrijnë të marrin aprovim në parim në seancë. Që nga fillimi i sesionit të ri pranveror Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 18 ligje, ndërkaq në procedurë për votim në lexim të dytë janë edhe 13 projektligje të tjera por për shkak të mungesës së kuorumit procesi i votimit për to është përsëritur disa herë por pa rezultat. Bazuar në programin legjislativ të Qeverisë si dhe projektligjeve që janë bartur nga viti i kaluar, Kuvendi do të ketë për shqyrtim 133 projektligje, që do të jetë shumë sfidë për Kuvendin që të përmbushet një agjendë e tillë për shkak të bllokadës në të cilën gjendet”, vlerëson Haxhiu.

E duke pasur parasysh se deri më tash kemi opozitën më të fortë nga numrat, kjo duhet të shfrytëzohet për të mirë nga partitë opozitare thotë Artan Demhasaj nga organizata ‘Çohu’.

Në një prononcim për arbresh.info, Demhasaj, ka thënë se opozita nuk duhet të marr pjesë vetëm në disa seanca ku mendojnë se është në interes të politikave të përgjithshme dhe të sabotojnë seancat e tjera.

Ai shton se këto numra duhet të shfrytëzohen e jo t’i lihet pozitës hapësirë  të vendos për të gjitha ligjet.

 “Ka seanca kur opozita merr pjesë për të votuar ligjet apo rezolutat që atyre ju konvenojnë apo që kanë të bëjnë në politika të përgjithshme, ndërsa në tjerat jo. Kjo është taktikë e tyre, kur atyre s’ju pëlqen qeverisja atëherë e bojkotojnë. Kemi një opozitë të fortë e cila ka më së shumti numra se pozita mënyra më e mirë është që opozita të merr pjesë në seanca dhe komisione sepse të gjitha vendimet e tyre mund t’i marrin përmes votimeve të rezolutave ose ligjeve, dhe mund të ndryshojnë ato e jo të lënë të gjitha në duart e pozitës”.

Sipas tij, opozitarët nuk janë duke e përdorur favorin e numrave, por po dëshirojnë të ndëshkojnë pozitën me mos prezencë në seanca duke i dërguar drejt zgjedhjeve.

“Opozita duke pasur parasysh që ka vota shumë, duhet të përdor këtë, por s’po e përdorin. Opozita duhet të marr pjesë në çdo seancë dhe t’i shtyjnë të gjitha ligjet që mendojnë se s’janë të mira dhe t’i përmirësojnë, ata  s’po i përdorin këto favore dhe po dëshirojnë  ta dërgojnë vendin në zgjedhje përmes bojkotit të seancave”.

Kujtojmë se në mungesë të kuorumit dhe bojkotit nga opozita, në Kuvendin e Kosovës janë një sërë pikash të cilat kanë mbetur të papërfunduara që nga viti 2017./V.Selimi/Arbresh.info./

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara