Kurti: Falë Amerikës, Shqipëria nuk u copëtua

21:51 | 4 Korrik 2019

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurit, ka uruar 4 korrikun jo vetëm amerikanëve.

Përmes një statusi në facebook ai përmendi historinë e pavarësisë së Amerikës dhe Shqipërinë që fal ShBA’ve i shpëtoi copëtimit.

Ai përmendi Presidentin Woodrow Willson që në Versaille e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi, Presidentin Bill Clinton me rolin e tij në luftën e fundit në Kosovë dhe Presidentin Bush i cili tha “Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur”.

Krejt në fund, Kurti tha se Deklarata e Pavarësisë së ShBA’ve është pararendëse e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kurtit:

Nuk e di nëse 4 korriku 1776 ka qenë ditë e nxehtë e me vapë sikur sot te ne, mirëpo kjo datë i ka dhënë aq shumë temperaturë politikës dhe historisë që prej atëherë, në të dy anët e Atlantikut, dhe jo vetëm.

13 vjet para revolucionit francez, 13 koloni britanike shpallën pavarësinë në kuadër të luftës çlirimtare dhe antikolonialiste që sot njihet si revolucion amerikan. Shumë guxim dhe punë, shumë vetëmohim dhe sakrificë, të aq shumë njerëzve, u deshën para Ditës së Pavarësisë por edhe pas saj, për t’u ndërtuar e zhvilluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga Presidenti Woodroë Wilson që ndërhyri me parimin e vetëvendosjes së popujve në Konferencën e Versaille-s dhe shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi e deri te Presidenti Bill Clinton i cili me avionët e NATO-s ndërhyri kundër Jugosllavisë së Milosheviqit dhe e shpëtoi Kosovën nga gjenocidi serb, nga Presidenti George Bush që kërcënoi Milosheviqin për Krishtlindje në 1992 e deri te djali i tij, Presidenti George W. Bush, i cili më 10 qershor 2007 në Fushë Krujë tha “Mjaft është mjaft, Kosova është e pavarur!”, përkushtimi i ShBA-së për neve e ka si shtrirjen në histori ashtu parimësinë në politikë.

Një kryevepër nuk pranon të japë qysh në leximin e parë domethënien e saj të plotë, bukurinë e saj thelbësore. Prandaj, ne duhet ta rilexojmë kryeveprën amerikane, të revolucionit e të pavarësisë. 243 vjet më vonë, universaliteti i saj tejkalon kontekstin ku lindi dhe mbetet jashtëkohor.

Toka e Ëndrrës nuk mund të mos ishte Tokë e Jetës, e Lirisë e për Lumturi. Sepse ajo bëhej e përbëhej nga Njerëzit që besonin në të drejta të patjetërsueshme dhe në barazinë me njëri-tjetrin. Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve është pararendëse e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Prandaj, urime 4 Korriku! Jo vetëm amerikanëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara