Kurti: Dy muaj nga dorëzimi i padisë kundër Thaçit e Veselit, askush nuk na thirri nga prokuroria!

21:27 | 25 Qershor 2019

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka njoftuar se sot janë bërë dy muaj që kur ka dorëzuar kallëzim penal bashkë me Glauk Konjufcën, kundër krerëve të shtetit, duke i akuzuar se kanë dhënë deklarata të rrejshme në rastin e ‘Syrit të Popullit’.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se deri tani askush nuk i ka ftuar për intervistë nga Prokuroria e Shtetit.

Sipas Kurtit, gjuha është prej tulit e letra duron gjithçka, por kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën, kjo sigurisht se do të duhej t’ishte detyrë fort interesante për prokurorët.

Më poshtë postimi i Kurtit:

Prokurorë me flladitëse

Askush nuk na thirri as sot, nga prokuroria e shtetit. U mbushën dy muaj që me Glaukun patëm dorëzuar kallëzimin penal. Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit kanë gënjyer e shpifur nën betim.

Në procesin gjyqësor kundër kinse pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”, më 28 dhjetor 2018, kanë thënë një mal me të pavërteta.

Prej asaj se dora ime dhe e Glaukut i paska shkruar komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, te veshi i Presidentit që paska dëgjuar urdhër për vrasje nga ne, e deri te njëfarë krahu i armatosur i VETËVENDOSJE!-s.

Gjuha është prej tulit e letra duron gjithçka, por kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën, kjo sigurisht se do të duhej t’ishte detyrë fort interesante për prokurorët.

Ama jo edhe për këta tanët, meqë asnjëri, ama bash asnjëri, ende nuk na thirri, asnjërin prej neve dyve, as në ditën kur filloi muaji i tretë i moskokëçarjes së tyre. Thua se këta prokurorë populli ynë i varfër po i paguan veçse për t’u bërë fresk kriminelëve?!

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara