Kryeministri Haradinaj priti në takim presidentin e Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer

18:22 | 12 Mars 2019

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim shefin ekzekutiv, njëherit president i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj së bashku me z. Robert Singer kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore e hebrenjve në shenjë nderimi për viktimat e Holokaustit.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, e ka falënderuar z. Singer për vizitën e sotme dhe të gjithë hebrenjtë që e ndihmojnë dhe mbështesin Kosovën përmes Kongresit Botëror të Hebrenjve!

“Është vërtet ndjenjë e mirë që shqiptarët në ato rrethana, që kanë qenë jo të lehta, janë vënë në mbrojtje të hebrenjve. Si Kosovë na vjen mirë që bazuar në këto vlera i takojmë botës që ka respektuar jetën e njerëzve në kohërat më të vështira. Shqiptarët strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë sepse ajo ishte gjëja e duhur për t’u
bërë”, tha kryeministri Haradinaj, duke kujtuar marrëdhëniet historike të dy popujve dhe po ashtu kohërat e vështira kur populli i Kosovës ishte përkrahur nga bota e lirë demokratike.

Në kuadër të takimit, kryeministri e njoftoi z. Singer për alokimin e ndërtesës për Muzeun e Trashëgimisë Hebraike në Prizren, që do t’i shërbejë ruajtjes së kujtesës historike dhe miqësisë mes dy popujve tanë. Kryeministri Haradinaj po ashtu ka folur për fokusin e Qeverisë së Kosovës me theks të veçantë për reformat në sundimin e Ligjit dhe zhvillimin ekonomik në vend si dhe gjithë progresin që ka bërë Kosova që nga paslufta, ndërkaq nga z. Singer ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Për kontributin e tij dhënë ndaj Kosovës, kryeministri Haradinaj e ka nderuar z. Robert Singer, me “Hartën e Artë të Kosovës”.

Ndërkaq, shefi ekzekutiv, njëherit president i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen e sotme dhe ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit mes tyre dhe Qeverisë së Kosovës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale