Kërkohet votëbesim për anëtarët e Këshilli Drejtues të UP-së

11:33 | 17 Dhjetor 2018 | Agnesë Çitaku

Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po proteston me kërkesën për përmirësimin e kushteve për studentët, si dhe kundër ndërhyrjeve në pavarësinë e kësaj organizate studentore.

Ata kërkojnë që Senati të mblidhet urgjentisht dhe të vendos në rend ditë votëbesimin për anëtarët e Këshillit Drejtues.

Erblin Hoxha, një nga përfaqësuesit e studentëve paralajmëroi se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Kjo po rrjedhë si pasojë e neglizhencës nga përfaqësuesit e institucioneve.  Nuk do të ndalemi që t’i jetësojmë qëllimet tona. Do të jemi promotorë të ndryshimeve. Gjithmonë do t’i luftojmë këto padrejtësi. Studentët nuk do të ndikohen. Beteja në shërbim të studentëve dhe për universitetin do të vazhdojë si kurrë më parë,” shprehet Hoxha, raporton arbresh.info.

Përfaqësuesi tjetër, Erzen Hyseni, përmendi disa nga problemet më të mëdha me të cilat po ballafaqohen studentët.

“Mungesa e ndriçimit në kampusin universitar,  mungesa e literaturës në gjuhën shqipe, mungesa e librave nëpër bibliotekave të fakulteteve, nuk ka edhe një shtëpi botuese, studentët përballen edhe me orë të shkurtuara, dhe shpeshherë ligjëratat mbahen nga asistentët dhe jo profesorët,” shprehet Hyseni.

Ata i ka pritur në takim Prorektorja për buxhet dhe financa, Myrvete Badivuku, për të sqaruar shqetësimet e studentëve.

“Ju flas në emër të rektorit, Marjan Dema.  Ai ka rast vdekje, është dashur patjetër me qenë në ceremoninë e varrimit. Përndryshe jemi të hapur t’i bisedojmë shqetësimet e tuaja, edhe të bëjmë zgjidhjen më të mirë të mundshme,” tha Badivuku para studentëve.

Si anëtarin e parë të Këshillit Drejtues, studentët duan të shkarkohet Beqir Sdikaj, pasi sipas studentëve duhet të largojë politika ndikimet në universitet./arbresh.info/

Studentët flasin pas takimit me prorektorët

Shpërndaje në rrjete sociale