Kadri Veseli: Nuk duhet lejuar që Serbia të tregojë fuqi më shumë se ne

13:22 | 11 Tetorë 2018

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, porositi sot se Kosova nuk duhet t’i lejojë Serbisë të tregojë fuqi më shumë se ne, ndërsa për rezolutën e propozuar mbi dialogun tha se aty janë përfshirë të gjitha ato që kanë dashur pozita dhe opozita.

Ai këto komente i bëri pas takimit që kishte ftuar me partitë politike në Kuvend, të cilës nuk iu përgjigjen partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje, derisa PSD dhe Alternativa ishin pjesë e saj.

Veseli tha se takimi ishte konstruktiv, derisa pati një mesazh për subjektet politike që nuk iu përgjigjën ftesës së tij për takim.

“Unë kam një mesazh për partitë opozitare që nuk po marrin pjesë. Nuk mund të jetë ballafaqimi me Serbinë. Më i rëndësishëm është territori, e ardhmja jonë euroatlantike sesa çdo kolltuk. Është gabim historik që me ndarjen tonë i japim hapësirë Serbisë që të flasë në emrin tonë. Ne duhet të jemi bashkë, është i pashmangshëm konsensusi jonë. Thërras kolegët e opozitës LDK dhe VV të jemi bashkërisht nëse është interesi i Kosovës mbi interesin e kolltukëve. Takimi ka qenë shumë korrekt, ka qenë një qëndrim shumë parimor që Kosova të këtë konsensus. Ajo çka u pajtuam është që ne duhet të kemi një qëndrim në raport me Serbinë. Jo asociacion me kompetenca ekzekutive”, tha Veseli.

Ai ka folur edhe rreth rezolutës së propozuar nga koalicioni qeverisës rreth dialogut me Serbinë, duke thënë se Kosova duhet të jetë me një zë në dialog dhe nuk duhet t’i lejojë Serbisë të tregojë fuqi më shumë se ne.

“Rezoluta të cilën e kemi propozuar janë të gjitha të përfshira çka ka dashur pozita dhe opozita. Rezoluta është e hapur ku mund të futen edhe gjëra të tjera”, u shpreh Veseli

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu pas takimit që patën me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë, nuk mund të ecë përpara pa konsensus, dhe as pa partitë opozitare.

Ai ka kujtuar se kjo parti do të shkojë në çdo takim ku temë e diskutimit është dialogu Kosovë- Serbi.

“Si PSD kërkesa jonë përveç që rezoluta e PSD-së të votohet është që ky debat të kthehet në Kuvend. Vetëm duke u ulur mund të gjejmë zgjidhje të përgjithshme. Politikën në ketë vend duhet ta shndërrojmë në përballje argumentesh në institucione. Kushdo që do të na ftojë këtë qëndrim do ta prezantojmë, Kuvendi është mënyra edhe vendi”, u shpreh deputeti Sejdiu, përcjell KosovaPress.

Sejdiu ka shtuar se diskutimi dhe platforma shtetërore të bëhet në Kuvend.

“Më vjen mirë që qeveria ishte marrë vesh për ketë rezolutë. Përmbajtja pa proces nuk garanton asgjë. Propozimi për z.Limaj ka ardhur një orë para seancës dhe ka dy gabime. E para i ngutshëm, e dyta unë nuk besoj në persona kur nuk e di detyrë. Më parë platforma pastaj ekipi. I vetmi kuvendi mundet me e nxjerrë personin më adekuat”, u shpreh ai.

Shpërndaje në rrjete sociale