Intervistë ekskluzive me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi

17:12 | 1 Shkurt 2018 | Gita Lushi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në një intervistë për portalin “Arbresh.info” ka folur për zhvillimet më të fundit në vend në aspektin juridik, arritjet e institucionit që ai drejton, sfidat si dhe rastet që janë duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit.

Arbresh. Info: Në prill të vitit 2015 keni marrë mandatin e kryeprokurorit. Cilat janë ndryshimet  pozitive që keni për këtë periudhë gati 3 vjeçare në  Institucionin e Prokurorisë?

Aleksandër Lumezi: Një nga ndryshimet më pozitive brenda sistemit prokurorial të Kosovës prej kur e kam marr pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka qenë që të rritet efikasiteti i  punës së Prokurorisë së Shtetit, e që këtë e kemi treguar edhe me rezultate konkrete.  Unë në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit kam ardhur në prill të vitit 2015, ndërsa në fund të vitit kemi treguar një efikasitet shumë të mirë, ku i kemi kryer 28 mijë lëndë të natyrave të ndryshme. Në vitin 2016 kjo shifër është rritur për 8 mijë lëndë më shumë, i kemi kryer 34700 lëndë, ndërsa në vitin 2017 jemi duke përfunduar të dhënat statistikore, por sigurisht që edhe gjatë këtij viti kemi treguar sukses shumë të madh.

Kemi përmirësuar edhe performancën e prokurorëve, duke marr parasysh që vetëm gjatë vitit të kaluar i kemi pasur 87 për qind të aktakuzave që kanë kaluar në  gjykim dhe kemi pasur aktgjykime dënuese, që do të thotë kemi bërë një punë të mirë.

Arbresh. Info: Ju keni marrë një vendim përmes të cilit do të monitorohet puna e secilit prokuror, dhe prokurorët të cilët do të kenë ngecje në kryerjen e punëve të tyre do të ndëshkohen. Sa prokurorë deri tash janë ndëshkuar për neglizhencë në punën e tyre?

Aleksandër Lumezi: Mund të them se gjatë vitit të kaluar secili prokuror në Republikën e Kosovës e ka tejkaluar normën e paraparë orientuese… Dmth kanë kryer lëndë më shumë  se që kanë pranuar. Ka pasur edhe raste kur te prokurorët janë parashkruar disa lëndë, por ajo ka ndodhur për shkak se ato janë bartur nga njëri prokuror te tjetri. I kemi pasur disa raste të cilat i kemi dërguar  edhe në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, dhe mandej ata këto rasti  i kanë proceduar në Komisionet Disiplinore të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sa e di unë ajo është punë e Komisionit Disiplinor, por nuk e di numrin e saktë të prokurorëve që janë sanksionuar nga Komisioni Disiplinor, por ka pasur prokurorë që janë dënuar për shkak të  neglizhencës së tyre në punë. Ju e keni parë kohëve të fundit e kemi pasur edhe një vendim ku një prokuror që ka punuar në Prokurorinë Speciale është suspenduar nga puna e tij.

Arbresh. Info: A keni arritur ta pavarësoni prokurorinë nga politika?

 Aleksandër Lumezi: Nëse e shohim nga aspekti ligjor prokurorët janë 100 për qind të pavarur në punën e tyre, dhe nuk varen nga vendimet dhe ndikimet e politikës. Prokurorët e kanë mandatin e përhershëm dhe në karrierën e tyre nuk mund të vendos askush nga politika. Vetëm KPK mund të vendos në rastet kur ata e shkelin pavarësinë e tyre, apo janë të njëanshëm në shqyrtimin e ndonjë rasti, atëherë krijohet një arsye që ata prokuror të sanksionohen. Mirëpo deri më tash nuk kemi pasur raste kur prokurorët janë ndikuar nga politika. Sistemi Prokurorial i Kosovës është tërësisht i pavarur dhe çdo lloj ndikimi që vije nga pushtetet tjera konsiderohet ndërhyrje në pushtetin gjyqësor, faktikisht në sistemin prokurorial dhe në punën e pavarur të prokurorëve.

Arbresh. Info: A ka  ndonjë rast që po hetohet  nga prokuroria apo ndonjë  aktakuzë  për korrupsion të profilit të lartë, që është ngritur apo do të ngritët gjatë këtyre muajve?

Aleksandër Lumezi: Kemi shumë raste në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, por edhe në Njësitin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Prokurorisë Themelore që janë duke i hetuar disa raste të rëndësisë së lartë. Nuk mund të them kush janë ata persona, por janë në fazën e hetimeve dhe shpresoj që gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti do të dalim me përfundimin e  këtyre rasteve dhe varësisht nga provat, nëse ka prova që do të vërtetojnë  se personat konkret kanë kryer  veprat penale, atëherë  do të dalim me aktakuza, mirëpo nëse nuk mund t’i vërtetojmë ato fakte të cilat i kemi, do të mbyllen dhe do të pushojnë hetimet.

Arbresh. Info: A kanë nisur punën prokurorët serbë në Veri të Mitrovicës, dhe si po shkon ky proces?

Aleksandër Lumezi:  Gjatë vitit të kaluar janë dekretuar 13 prokurorë brenda Sistemit Prokurorial të Kosovës, 9 prokurorë i kemi në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës në bazë të marrëveshjes së Brukselit,  ndërsa 4 të tjerë janë të shpërndarë në prokuroritë themelore të Kosovës, dhe të gjithë ata tanimë kanë filluar të punojnë dhe i kanë marrë lëndët  dhe janë duke i shqyrtuar.  Kolegët e tyre, edhe kryeprokurorët, por edhe ata të cilët kanë bërë një karrierë brenda Sistemit Prokurorial të Kosovës i kanë pritur shumë mirë këta kolegë të cilët janë brenda këtij sistemi. Jena duke ju ndihmuar çdo ditë, janë duke u trajnuar edhe në Akademinë e Drejtësisë lidhur me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, e në anën tjetër kanë filluar të punojnë, kështu që i presim edhe rezultatet e para nga ta.

Arbresh. Info: Agjencia Kundër Korrupsionit e ka shpallur të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar, të kryesuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Kjo Agjenci, në opinionin e saj, ka thënë se zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe zv.ministrat) që kanë votuar këtë Vendim “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. A do ta hetojë prokuroria vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave të qeverisë?

Aleksandër Lumezi: Unë nuk mund të them se vendimi i  kryeministrit dhe qeverisë ka qenë  i kundërligjshëm. Ata e kanë marrë një vendim brenda kompetencave  dhe autorizimeve të tyre ligjore. Ju e dini se Agjencioni Kundër Korrupsion  e ka dhënë një opinion, në të cilin kanë konstatuar se ka pasur konflikt interesi, pasi që kanë vendosur për veten e tyre, mirëpo ne ende nuk kemi marrë asnjë informacion as nga AKK e as nga ndonjë institucion tjetër dhe nuk jemi duke e shqyrtuar këtë çështje. Në momentin që paraqitet ndonjë kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit, ne do ta analizojmë, do t’i verifikoj të gjitha ato pretendime dhe masnej do të vendosim lidhur me atë çështje konkrete.

Prokurori i shtetit ka kompetenca dhe autorizime që të filloj edhe exo ficio ndjekjen penale në ato raste kur ka informacione të arsyeshme se është kryer një vepër penale. Mirëpo në rastin konkret  nuk kemi informacion se dikush ka përfituar nga vendimi  Qeverisë së Kosovës dhe kjo është arsyeja se deri më tani nuk kemi filluar asnjë procedurë penale.

Arbresh. Info: Çështja e provimit të jurisprudencës se kryeprokurorit Aleksandër Lumezi?

 Aleksandër Lumezi: Nëse i keni përcjell e keni parë që është hetuar ky rast nga Prokuroria Themelore e Prishtinës nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it dhe e ka mbyllur këtë rast me konstatimin se nuk është gjetur asnjë provë që është manipuluar dosja e kryeprokurorit të Shtetit. Kjo çështje është mbyllur pasi kemi një vendim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Arbresh. Info:  Në shkurt të këtij viti bëhen 2 vjet nga rasti i vdekjes së  Dafina Zhubit, e cila  është gjetur e vdekur në një banesë në lagjen “Emshir”, në Prishtinë. Hetimet për këtë rast ishin mbyllur në nëntor të vitit 2016  dhe prokurorja e rastit e kishte cilësuar vdekjen e saj si vetëvrasje. Mirëpo  hetimet për  këtë rast patën rinisur në prill të vitit të kaluar pas publikimit të ekspertizës së  Instituti zviceran “Forensicons” i cili ka argumentuar se Zhubi në asnjë mënyrë nuk mund të ketë kryer vetëvrasje, por që  ajo është vrarë. Çfarë ka ndodhur me këtë rast , ku kanë shkuar hetimet deri tash?

Aleksandër Lumezi: Kjo lëndë faktikisht nuk është mbyllur kurrë nga prokuroria, por vetëm është ndërprerë masa e paraburgimit të personit, i cili ka qenë i dyshuar. Ne në ndërkohë i kemi bërë disa ekzaminime në Republikën e Kosovës, ato ekzaminime nuk kanë qenë të qarta dhe nuk kanë qenë bindëse për prokurorinë e shtetit që të vazhdojmë procedurën e mëtutjeshme me ngritjen e aktakuzës. Prandaj kemi kërkuar nga autoritetet zvicerane që t’i bëjmë disa ekzaminime toksikologjike në shtetin e Zvicrës, i kemi dërguar kërkesën, ata kanë pranuar që të marrin shkresën e lëndës. I kemi përkthyer krejt në gjuhën zvicerane ju kemi dërguar, tani po presim vetëm t’ua dërgojmë edhe analizat e gjakut dhe mostrat tjera që i kemi marrë nga trupi i viktimës në ekzaminim të mëtutjeshëm në shtetin e Zvicrës dhe pastaj varësisht nga rezultatet  e ekzaminimeve do të vazhdohet procedura penale, për momentin  e kemi pezulluar procedurën penale deri sa t’i sigurojmë këto prova në shtetin zviceran.

Arbresh. Info: Në nëntor të vitit të kaluar shtëpia juaj është vjedhur nga disa persona. Çfarë ka ndodhur me këtë rast. Sa persona dyshohen dhe deri tash a ka fakte që i lidhin ata me vjedhjen në shtëpinë tuaj?

 Aleksandër Lumezi: Hetimet kanë përfunduar dhe e kemi një aktakuzë kundër personave që kanë hyrë në shtëpinë time po aktakuza është për vjedhje të rëndë, ndërsa motivi  kryesor se pse kanë hyrë në shtëpinë time,  nuk kanë mundur ta gjejnë dhe kjo ka qenë arsyeja se pse prokuroria ka shkuar me aktakuzë  për vjedhje  të rëndë.  Nuk e di saktë sa persona janë të përfshirë  në aktakuzë, sepse ata përveç veprës penale që e kanë kryer në shtëpinë time e kanë kryer edhe në disa shtëpi të tjera, i kanë kryer në bashkëveprim por nuk e di saktë se sa ka qenë numri i personave që kanë hyrë në shtëpinë time.

Arbresh. Info: Deri ku kanë shkuar hetimet e Prokurorisë së  Shtetit në lidhje me rastin e dy  vdekjeve të cilësuara si të dyshimta, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 7 shtator të vitit të kaluar?

 Aleksandër Lumezi: Rasti është në fazën e hetimeve, edhe në këtë rast njësoj si në rastin e Dafina Zhubit, disa analiza toksikologjike duhet të bëhen jashtë territorit të Kosovës. Ne kemi biseduar me autoritetet e Gjermanisë dhe ata kanë pranuar që ne t’i dërgojmë të gjitha mostrat që i kemi marrë nga trupat e viktimave dhe me marrë një konstatim nga laboratoret gjermane për arsyen dhe shkakun e vdekjes. Në momentin që do t’i marrim këto analiza nga shteti i Gjermanisë, atëherë do të kemi prova të mjaftueshme  për me vendos lidhur me këtë çështje penale.

Arbresh. Info: A jeni në dijeni a janë intervistuar personat e dyshuar dhe sa janë?

 

Aleksandër Lumezi: Një herë për një herë e kemi vendimin për fillimin e hetimeve vetëm  për një person, i cili e ka furnizuar me material  mjekësor QKUK-në, ndërsa ende nuk kemi filluar hetimet për personat tjerë brenda QKUK-së, të cilët  dyshohet se kanë kryer ndonjë veprim të kundërligjshëm i cili mund të kualifikohet si shpërdorim i detyrës zyrtare, apo mjekim të pandërgjegjshëm. Mirëpo në bazë të informacioneve që i marrim nga hetimet që jemi duke i bërë, sigurisht që edhe do t’i zgjerojmë  hetimet edhe për personat tjerë, nëse ata kanë kryer ndonjë vepër penale që sanksionohet me ligj.

Arbresh. Info: Ku kanë shkuar hetimet për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit?

 Aleksandër Lumezi: Për momentin këtë çështje është duke e hetuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ku e kemi bërë një ekip prej dy prokurorëve vendorë, njëri është shqiptar e tjetri serb. Ata bashkërisht edhe me Policinë e Kosovës por edhe me institucionet tjera zbatuese të ligjit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për ta zbuluar identitetin e kryerësit të veprës penale. Ne i kemi disa prova, të cilat i kemi siguruar deri tani, mirëpo nevojitet që ende të marrim veprime për zbulimin e identitetit të kryerësit të veprës penale.  Ka pasur kërkesa edhe nga autoritetet e Serbisë që të bashkëpunojmë në këtë drejtim, mirëpo ne u kemi thënë se ne jemi të gatshëm të t’i marrim të gjitha informacionet të cilat ata  eventualisht i posedojnë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, siç është e paraparë  edhe me ligjin për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Nuk na kanë dhënë ende informacione, jemi duke pritur.

Ata na kanë thënë që dëshirojnë që të përfshihen së bashku me prokurorë dhe policë tanë në procesin e hetimeve. Mirëpo ne u kemi kthyer përgjigje se  në procesin e hetimeve ata nuk mund të involvohen pasi që vepra penale është kryer brenda territorit të Kosovës dhe kompetencë lëndore kanë ekskluzivisht prokurorët e  Republikës së Kosovës. Ndërsa sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar lidhur me shkëmbimin e informacioneve, u kemi thënë se jemi të gatshëm të shkëmbejmë secilin informacion i cili është i mirëseardhur për  zbulimin e kësaj vepre penale.

Arbresh. Info: Për këtë rast është përmend një emër në media. A ka të bëj ky person me vrasjen e Ivanoviqit?

Aleksandër Lumezi: Në media është përfolur, ndërsa ne konkretisht ende nuk kemi informacione se ai person ka mundur të jetë njëri nga kryerësit e kësaj vepre penale.

Arbresh. Info: Çfarë mendoni për iniciativën e disa deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

 Aleksandër Lumezi: Sa i përket Gjykatës Speciale unë mund t’u them se ato marrëveshje  ndërkombëtare të cilat bëhen dhe ratifikohen në Kuvendin e Kosovës nga autoritetet e Kosovës duhet të respektohen patjetër, sepse me këto e tregojnë seriozitetin e një shteti.  Ne e kemi bërë një marrëveshje, e cila ka kaluar në Kuvendin e Kosovës për themelimin e një gjykate, e cila do t’i  hetojë dhe dënojë krimet e luftës, të cilat janë bërë në territorin e Kosovës gjatë vitit 1998-2000. Unë mendoj që ai vendimi i parë që është marrë nga Kuvendi i Kosovës,  është marrë në mënyrë të drejtë dhe mendoj që duhet të respektohet ky vendim se përndryshe tregojmë që jemi shtet jo serioz.

Arbresh. Info: A duhet të  përfundojë mandati i Eulex-it në qershor të këtij viti?

 Aleksandër Lumezi: Ka ardhur koha që të gjitha  kompetencat në fushën e sundimit të ligjit  t’i marrin prokurorët dhe gjyqtarët vendor. Ne jemi tash në fazën e transferimit të lëndëve  nga prokurorët e Eulex-it tek prokurorët vendor, dhe diku deri më tani  i kemi transferuar rreth 200 lëndë të cilat më herët i kanë pasur prokurorët e Eulex-it. Të gjitha këto lëndë janë duke u trajtuar nga prokurorët e Prokurorisë Speciale, por edhe nga prokurorët e Prokurorisë Themelore, varësisht prej kompetencës ku është kryer vepra penale.

Arbresh. Info:  Si e vlerësoni punën e këtij misioni ndërkombëtar në sistemin e drejtësisë?

 Aleksandër Lumezi: Unë mendoj që EULEX-i deri tani e ka bërë një punë të mirë  dhe i ka trajtuar një numër të madh të lëndëve penale në Republikën e Kosovës, shumica e atyre lëndëve janë nëpër shqyrtime gjyqësore. Konsideroj që ata e kanë dhënë një kontribut në fushën e sundimit të ligjit, mirëpo ka pasur vend që të japin kontribut më të madh dhe të jenë më efikas sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe në luftën kundër krimit trans nacional, sidomos në trajtimin e atyre rasteve që kanë qenë kompetencë ekskluzive e prokurorëve të Eulex-it./GitaLushi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale