Hoxhaj: Mbështetja e Austrisë për liberalizim të vizave jashtëzakonisht e rëndësishme

14:18 | 16 Prill 2018

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për APA, ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Austrisë gjatë mbajtjes së presidencës së BE-së, për procesin integrues të Kosovës, e veçanërisht për liberalizimin e vizave.

“Shpresoj se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë një nga prioritetet e presidencës Austriake të BE-së, duke nxitur njëkohësisht mbështetjen e shteteve të tjera”, ka thënë Hoxhaj për APA.

Hoxhaj, i cili të premtën takoi kryetarin e parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka dhe ministrin austriak për Evropë, Gernot Bümel, tha se sa herë që Austria ka mbajtur presidencën e BE-së ka pasur zhvillime interesante në rajon, duke pasur parasysh vëmendjen e saj të theksuar në Ballkanin Perëndimor.

“Qytetarët e Kosovës e meritojnë të lëvizin të lirë në zonën Schengen barabartë me qytetarët e shteteve të tjera, e meritojnë një vendim të qartë nga Komisioni Evropian dhe nga shtetet anëtare për lëvizje të lirë”, ka thënë Hoxhaj për APA

 

Shpërndaje në rrjete sociale